E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona, Ksavi “ndez” betejën me Venger për Fabregas

SPANJE- Beteja mes Barcelonës dhe Arsenalit për Çesk Fabregas ka njohur një tjetër etapë. Mesfushori katalanas Ksavi Hernandez është përfshirë në një valë akuzash me trajnerin e “Topçinjve” Arsen Venger, pasi ky i fundit e quajti atë një njeri pa respekt për çështjen e Fabregas. Ksavi pati deklaruar se Arsenali thuajse po e mban peng lojtarin spanjoll, megjithëse ky i fundit dëshiron të shkojë te Barcelona. Fjalë që Venger i ka konsideruar një mungesë totale respekti nga ana e mesfushorit katalanas. “Unë nuk kam pasur kurrë qëllim të ofendoj Vengerin apo Arsenalin. Më shumë isha duke folur për interesin e Fabregas, sesa të Arsenalit. Nuk dua të ofendoj askënd, aq më tepër një institucion si Arsenali, - u shpreh Ksavi, që më pas vazhdoi: - Venger i di synimet e Fabregas dhe dëshira e tij është të vijë te Barcelona.

Për të është një moment i vështirë, sepse nuk e di nëse do të transferohet apo jo. Vetëm kaq mund të them, askush nuk ka pse të ndihet i ofenduar”, tha më tej mesfushori kampion kampion bote. Fjalët e Ksavit vijnë vetëm një ditë pasi trajneri i Barcelonës Pep Guardiola konfirmoi synimin për të blerë Fabregas nga Arsenali, duke deklaruar se klubi i ka paratë për të. Ndërkohë, Ksavi foli edhe për kritikat ndaj Lionel Mesit në lidhje me eliminimin e Argjentinës nga Coppa America. “Janë të ekzagjeruara. Mesi është futbollisti më i mirë në botë dhe kur një skuadër nuk punon mirë e gjitha, kritikat bien mbi të. Për mua kjuo është e tepruar. Leo ka luajtur shumë mirë, pavarësisht eliminimit të pafat të Argjentinës”, u shpreh mesfushori spanjoll i Barcelonës.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›