E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbi, një tablo e Modiglianit mundëson arrestimin e Haxhiç

BEOGRAD- Një tablo e piktorit Amadeo Modigliani (1884-1920) ka qenë dhe origjina e arrestimit, sot në Serbi, e Goran Haxhiçit, ish-lideri serbo-kroat, deklaroi prokurori serb për krime lufte, Vladimir Vukçeviç për shtypin.
''Tabloja 'Portreti i një burri' (1918) u zbulua më 30 dhjetor 2010, gjatë kontrollit në shtëpinë e të afërmit të Goran Haxhiçit, Zoran Mandiç'', tha Vukçeviç.

''Hetuesit, të cilët dyshonin se Goran Haxhiç kishte marrë këtë tablo gjatë luftës në Kroaci(1991-1995), zbuluan se i arratisuri kërkonte ta shiste këtë vepër arti, vlera e së cilës arrinte në disa milionë euro për të financuar arratisjen e tij'', shtoi Vukçeviç.

"Kjo ishte një shenjë që tregonte se Haxhiçit i mungonin paratë. Atëherë ne ndoqëm këtë pistë", shtoi prokurori duke siguruar, pa hyrë në detaje, se ajo kishte shërbyer si pikë strategjike për hetuesit. ''Rreth 50 tablo të tjera u gjetën tek Zoran Mandiç'', theksoi Vukceviç.
Prokurori shtoi se ''Haxhiç kishte projektuar të largohej nga Serbia dhe ishte informuar se arrestimi i tij ishte i pashmangshëm për shkak të informacioneve të rreme komunikuar në median lokale nga mbështetësit e tij''.

Media serbe njoftoi vetë, të hënën, arrestimin e tij, që u përgënjeshtrua menjëherë nga autoritetet. ''Haxhiç ishte shumë i dyshimtë dhe përdorte një identitet të rremë. Ishte shumë e vështirë për ta njohur atë. Ai kishte një mjekër dhe mustaqe'', e përshkruan Vukçeviç.''Gjatë arratisjes së tij, Haxhiç kishte mbajtur kontekte me disa miq të tij dhe me priftërinjtë e Kishës ortodokse serbe'', sipas Vukçeviç. Goran Haxhiç kërkohej nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë për rolin e tij gjatë luftës në Kroaci.
(m.a/afp/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›