Barroso: Ne jemi origjinalë,por ndonjë s’arrin të kuptojë
Në “duelin” e nisur mes Kryeministrit italian dhe Komisionit Evropian mbi çështjen e emigracionit, Silvio Berluskoni ka marrë një “shuplakë” nga Presidenti i KE, Hose Manuel Barroso. Dy ditë më parë Berluskoni ishte shprehur se zëdhënësit e Komisionit të BE-së duhet të heshtin dhe të flasë vetëm presidenti për çështje që kanë lidhje me të, përndryshe Italia do të përdorte veton e saj. Nuk ka vonuar replika e presidentit të KE-së, Barroso, i cili këmbënguli dhe kujtoi të drejtën-detyrë të zëdhënësve të flasin dhe se ata quhen “Mbrojtës të paepur” të Bashkimit Evropian. Barroso është kundërpërgjigjur ndaj Berluskonit në një konferencë për shtyp. “Për shkak se Komisioni është një organ shumë origjinal, ka ndonjë që nuk arrin ta kuptojë. Komisioni nuk ka vetëm të drejtën, por edhe detyrën për të informuar të gjithë qytetarët dhe këtë e bën çdo ditë nëpërmjet zëdhënësve të tij. Unë jam shumë krenar nga shërbimi i zëdhënësve të Komisionit. Kanë të gjithë besimin dhe mbështetjen time. Janë të paepur në mbrojtjen e privilegjit të institucioneve evropiane dhe të Komisionit”, tha Barroso. Berluskoni kishte reaguar pasi Bashkimi Evropian i kishte kërkuar informacione nga Italia dhe Malta mbi refuzimin e refugjatëve nga deti. Reagimi i tij ishte mjaft i ashpër. Deklaratën e zëdhënësit të Komisionit Evropian, ku kërkoheshin shpjegime për sa i përket politikës së ashpër, që po ndjek Italia në lidhje me emigracionin, Berluskoni e ka marrë si kritikë. Ai ka kërcënuar me tërheqje nga votimi në BE, “Nuk do të japim më votën tonë dhe do bllokojmë funksionimin e BE-së, nëse nga Brukseli do të vazhdojnë të flasin zëdhënësit dhe jo presidenti i Komisionit”, tha Berluskoni. Ndërsa zëdhënësi i Komisionit Evropian, Dennis Abbot, duke shprehur befasim të madh për këtë reagim, shpjegoi se “nëse kërkojmë detaje për ligjin, nuk do të thotë se po kritikojmë”. Kundër Berluksonit ka reaguar edhe Komisioneri për Çështje të Emigrimit në BE, Zhak Baro. “Ne po bëjmë punën tonë, prandaj nuk është e nevojshme të jepen komente pa bazë”, tha ai me ton kritik menjëherë pas deklaratës së Berluskonit. Në krah të kryeministrit të tij ka dalë ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini. Ai ka kërkuar si Berluskoni, që të shprehen politikanët e jo zëdhënësit. “Nëse Komisioni Evropian është një organ politik është e drejtë që të flasin politikanët, jo zëdhënësit”, tha Frattini duke komentuar reagimin e Presidentit të komisionit Evropian. “Barroso ka thënë fjalë të qarta, që është krenar dhe ka besim tek zëdhënësit e vet, patjetër sepse edhe ajo do të na duhej”, shtoi Ministri i Jashtëm italian.