E Diel, 1 Nëntor 2026

Debate për protokollin, Kosova shprehet kundër

 

Eurodeputetja gjermane, Doris Pack është shprehur se zgjidhja e konfliktit të Protokollit Serbi-EULEX, sipas saj është që EULEX-i të ftojë Prishtinën të nënshkruajë protokollin. Në një intervistë për Radio Kosova, Pack tha se: “I propozoj EULEX-it që të ftojë Prishtinën të nënshkruajë atë protokoll, në mënyrë që në dokument të jenë të tria nënshkrimet, ai i EULEX-it, i Serbisë dhe i Kosovës. Nëse kjo nuk ndodh protokolli nuk duhet sepse pa firmën e Qeverisë së Kosovës protokolli nuk vlen”, është shprehur ajo. Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi ka rishprehur qëndrimin e  Qeverisë së Kosovës kundër nënshkrimit dhe njohjes së këtij  protokolli, nëse Kosova nuk merr pjesë në këtë vendimmarrje. Thaçi tha dje se pozicioni i Prishtinës në raport me marrëveshjet e EULEX-it me Serbinë mbetet i njëjtë. Por analistët vlerësojnë se transformimi i termit protokoll politik në marrëveshje apo aranzhime teknike, mund ta shtensionojë gjendjen e krijuar me këto marrëveshje. “Diçka tjetër janë çështjet teknike, e krejt tjetër janë çështjet politike. Ne do ta respektojmë plotësisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Bashkëpunimi në nivel rajonal me të gjitha vendet e rajonit nënkupton marrjen e përgjegjësive edhe nga ana jonë dhe këshillat, rekomandimet edhe prej ICO-së dhe EULEX-it”, tha Thaçi. Paqartësitë rreth tri marrëveshjeve të synuara teknike ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë vazhdojnë, pa marrë parasysh pozicionin e institucioneve të Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›