Gjyqtari Rado padit Kodin Doganor
POGRADEC
Gjyqtari i Gjykatës së Pogradecit Klodian Rado padit Kodin Doganor në Gjykatën Kushtetuese për verifikimin e përputhshmërisë me ligjin themelor të shtetit. Burime nga Gjykata e Pogradecit konfirmojnë se padia është nisur ditën e djeshme me postë zyrtare drejt Gjykatës Kushtetuese. Vendimi i gjyqtarit magjistrat ka ardhur gjatë shqyrtimit të një çështje që kishte të bënte me Kodin Doganor. Gjatë shqyrtimit të çështjes, gjyqtari Rado ka vendosur pezullimin e gjykimit dhe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretim. Sipas Gjykatës, në vendimin e magjistratit Rado, thuhet se është vendosur: Pezullimi i menjëhershëm i gjykimit të çështjes dhe kërkesën ndaj Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë për verifikimin e kushtetutshmërisë së Nenit 289/5 të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë. Në thelb, sipas këtij vendimi, kjo dispozitë e Kodit Doganor sanksiononte detyrimin që: “Çdo qytetar ankues përpara se t’i drejtohej rrugës administrative apo gjyqësore të ankimit ndaj detyrimeve apo gjobave abuzive, që mund të vendosen nga autoritetet doganore, duhet të parapaguante gjithë detyrimin doganor, por edhe gjobën që është sa trefishi i vetë detyrimit”. Një detyrim i tillë ligjor në jo pak raste ka qenë i papërballueshëm për qytetarët apo biznesmenët, duke sjellë si pasojë pamundësinë e tyre për të goditur gjyqësisht abuzimet, që mund të bëheshin nga administrata doganore prej dhjetë vitesh. Pas padisë së gjyqtarit Rado, pritet të jetë Gjykata Kushtetuese ajo e cila do të analizojë Kodin Doganor, duke i dhënë fund kësaj praktike me anë të shfuqizimit të këtij neni, apo do të lërë në fuqi ende të tillë detyrim për qytetarët. Në vendimin e tij mjaft të gjatë prej 20 faqesh, të siguruar ekskluzivisht nga gazeta “Panorama”, gjyqtari Klodian Rado rendit disa shkaqe se pse kjo dispozitë doganore bie ndesh me Kushtetutën, madje edhe me Konventën Evropiane të së Drejtave të Njeriut. Sipas këtij vendimi: “Kushtetuta (Neni 42/2) dhe KEDNJ (Nenet 6 dhe 13), si aktet me fuqi juridike më të lartë në Republikën e Shqipërisë, njohin dhe garantojnë “të drejtën e eksesit në gjykatë”, qoftë si element i të drejtës për një proces të rregullt ligjor, qoftë i të drejtës për një ankim efektiv. Por ndërsa këto akte themelore vërehet qartë se e garantojnë këtë liri, Neni 289/5 i Kodit Doganor (por edhe paragrafi 2 dhe 3 i tij), duket se ka probleme të thella me Kushtetutën dhe Konventën. Neni kufizon në mënyrë jo proporcionale “të drejtën e eksesit në gjykatë” të qytetarëve, por cenon edhe vetë thelbin e kësaj të drejte. Një argument tjetër kushtetues i paraqitur në vendimin e tij nga gjyqtari Rado, është edhe mosrespektimi i parimit të proporcionalitetit dhe arsyeshmërisë. Në këtë vendim thuhet gjithashtu se: “Në rastin në fjalë, vërehet se Kuvendi nuk ka marrë parasysh aq sa duhet parimin e proporcionalitetit, kur i ka vendosur qytetarëve si kusht për t’iu drejtuar gjykatës, pagimin e gjithë detyrimit doganor plus gjobën sa trefishi i këtij detyrimi. Ky detyrim financiar është ekstremisht i lartë, jo proporcional dhe jo i arsyeshëm.
Pezullimi i gjyqit me doganën e Qafë-Thanës
POGRADEC - Vendimi i djeshëm i dhënë nga gjyqtari Klodian Rado ka ardhur si pasojë e shqyrtimit të një kërkesëpadie të bërë nga dy persona ndaj doganës së Qafë-Thanës. Dy personat që iu drejtuan gjykatës duke paditur doganën, kanë futur në Shqipëri 7,500 kg mallra ushqimorë nga Maqedonia, pa paguar doganën. Për këtë dogana ka vendosur ndëshkimin e tyre me gjobë, e cila përbën trefishin e shumës së detyrimit doganor, që duhej paguar në momentin e kalimit të mallit. Pas vendimit të doganës, dy tregtarët kanë paguar përmes bankës detyrimin doganor për hyrjen e mallit në Shqipëri, ndërsa gjoba për këtë shmangie ka qenë shumë e lartë. Ata kanë paguar 40 për qind të këtij detyrimi, por kanë pasur vështirësi në shlyerjen e gjithë shumës. Gjatë shqyrtimit gjyqësor të rrethanave të çështjes, është provuar se Kodi Doganor, në nenin 289/5 ka prodhuar një situatë antikushtetuese ndaj dy personave të ndëshkuar. Ndodhur në këto kushte, gjyqtari i çështjes në Pogradec, ka vendosur të mos marrë një vendim për çështjen, duke pezulluar shqyrtimin e saj dhe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e nenit në fjalë. Pas vendimit të Kushtetueses pritet rifillimi i gjyqit në Gjykatën e Pogradecit bazuar në interpretimet që do të japë gjykata më e lartë. Vendimi i djeshëm për pezullimin e shqyrtimit të padisë, u është njoftuar palëve në procesin e hapur në Gjykatën e Pogradecit. Më pas dokumentacioni është dërguar me postë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese ku pritet që më pas të fillojë shqyrtimi i këtij rasti.