E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barroso: “Statusi i kandidatit për Serbinë ndoshta në 2009”



Kreu i Komisionit Europian Hoze Manuel Barroso deklaroi dje se Serbia mund të marrë statusin e kandidates për në BE në vitin 2009. Ndërsa Beogradi shpresonte që të merrte statusin në fund të 2008-ës. “Do të jetë e mundur që Serbisë ti japim statusin e kandidatit për në BE në 2009... por ky nuk është një vendim, varet nga Serbia dhe nga kushtet e Bashkimit Europian”- tha Baroso pas takimit me presidentin serb Boris Tadiç që u zhvillua në Bruksel. Ndërkohë duket se Serbia nuk do të heqë dorë nga Kosova edhe kur të ratifikojë marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Nënkryetari i Qeverisë serbe, Bozhidar Gjeliç është shprehur se ratifikimi i marrëveshjes nuk do të thotë dorëheqje nga Kosova. “Nëse kushdo qoftë tenton të na shpjerë drejt një zgjedhjeje të tillë, ne do të zgjedhim Kosovën”,- ka thënë Gjeliç, për të shtuar se kjo marrëveshje “nuk merret me statusin e tanishëm të Kosovës dhe as që e përcakton atë, por e trajton si neutral”. Gjeliq tha se kusht për këtë marrëveshje është bashkëpunimi me Hagën, ndërsa ka kritikuar këtë institucion të drejtësisë për lirimin e komandantit boshnjak, Naser Oriç dhe atë kosovar, Ramush Haradinaj. “Ditë të zeza për drejtësinë ndërkombëtare ishin ato kur u liruan Haradinaj dhe Oriç, mirëpo respektimi i së drejtës ndërkombëtare është aleati ynë më i madh në mbrojtjen e integritetit tonë territorial dhe të Kosovës”,- ka thënë Gjeliç.

Maqedonia përgënjeshron heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë

Pas lajmit për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, autoritetet kufitare të Maqedonisë kanë përgënjeshtruar këtë lajm dhe bënë të ditur se shtetasit shqiptarë, për të hyrë në Maqedoni duhet të jenë të pajisur me viza. Marrëveshja pritej të ndikonte pozitivisht në lehtësimin dhe rritjen e kontakteve ndërmjet shtetasve në të dy anët e kufirit dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat. Në këtë marrëveshje parashikohej përjashtimi nga detyrimi i vizës për të gjithë shtetasit e të dy vendeve, të cilët janë mbajtës të pasaportave të zakonshme, të shërbimit dhe diplomatike, dhe dëshirojnë të hyjnë, tranzitojnë ose qëndrojnë në territorin e secilit vend. Kalimi nëpër pikat kufitare të hapura për lëvizjen ndërkombëtare ose ndërshtetërore parashikohet të bëhet pa taksa apo detyrime të tjera.

Bush: “Xhon Mekein, presidenti që do të mbrojë SHBA-të”

Xhon Mekein është kandiadati i duhur për president të Shteteve të Bashkuara. Kështu është shprehur presidenti i SHBA-ve, Xhorxh Bush në fjalën drejtuar bashkëpunëtorëve në Konventën Kombëtare të Republikanëve në Minesota, ku Mekein këtë javë pritet zyrtarisht të nominohet për president. Sipas Bush, senatori nga Arizona mbart vlerat e një amerikani i pavarur dhe guximtar.
Bush tha se Mekein e kupton si mbrohet Amerika pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, 2001. “Ne jetojmë në një botë të rrezikshme, dhe na duhet një president i cili i kupton mësimet nga 11 shtatori 2001 se që të mbrojmë Amerikën, duhet të jemi gati, t’i pengojmë sulmet përpara se të ndodhin, dhe të mos presim të goditemi përsëri. Njeriu që na duhet është Mekein”,- tha Bush. Ai iu drejtua republikanëve përmes satelitit nga Shtëpia e Bardhë, pasi anuloi vizitën në konventë për shkak të uraganit Gustav. Mekein ditën e sotme pritet të pranojë zyrtarisht nominimin e republikanëve për t’u përballur me demokratin Barak Obama në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Obama e pranoi nominimin e demokratëve javën e kaluar.

4 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›