E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu: “Pro takimit me Tadiç, Kosova dhe Serbia dy vende sovrane”



Kreu i shtetit të Kosovës, Fatmir Sejdiu është shprehur pro takimit me homologun e tij serb Boris Tadiç por vetëm me një prani të rëndësishme ndërkombëtare. Në një intervistë për mediat, Sejdiu tha se takimi me përfaqësuesin serb mund të përqëndrohej vetëm në çështjet e fqinjësisë dhe të raporteve mes dy vendeve sovrane, duke kundërshtuar mundësinë e rihapjes së çështjes së statusit. “Në situatë të ecjes të mëtejme, gjithmonë si dy vende sovrane, në temat që mund të jenë në interes të qytetarëve të njëri dhe vendit tjetër, po, absolutisht po. Natyrisht se në këtë periudhë ne japim edhe një përgjigje paralele se me Beogradin asnjëherë s’do të ketë takime dhe tema të cilat lidhen me statusin”. UNMIK-u, sipas tij nuk është një partner që do të hyjë në ndërmjetësime të veçanta, por së bashku me EULEX-in mund të lehtësojnë dhe të çtensionojnë marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit. “Unë në këtë rast nuk e quaj UNMIK-un partner që do të hyjë në ndërmjetësime të veçanta në tema, por mund ta quaj si pjesë të një faktori ndihmëtar së bashku me EULEX-un që mund të lehtësojnë apo të japin një relaks në marrëdhëniet tona, në kuptim të investimit për të rënë tensionet. Një gjë e mirë është se nga ana e Kosovës nuk ka impulsime për të pasur tensione me Serbinë”. Sejdiu u shpreh se Serbia nuk mund të pengojë shtetet e tjera të njohin pavarësinë dhe shfaqi bindjen se nisma e qeverisë së Serbisë për të shqyrtuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk do të japë rezultat. Ndërkohë zëdhënësi i UNMIK-ut Aleksandër Ivanko ka saktësuar se nuk pritet të ketë së shpejti ndonjë takim mes Prishtinës dhe Beogradit. Edhe pas rikonfirgurimit, UNMIK-u do të vazhdojë të monitorojë disa çështje, siç janë disa segmente të policisë dhe të drejtësisë, si dhe të mbështesë vënien e dialogut midis Prishtinës e Beogradit, sipas udhëzimit të kreut të OKB-së Ban Ki Mun. Sa i përket dialogut, zëdhënësi Aleksandër Ivanko përsëriti se do të caktohet një axhendë për çështjet që do të diskutohen, por ai tha se tani për tani nuk ka asnjë lëvizje pozitive. “Nëse ka disponim që Prishtina e Beogradi dëshirojnë të ulën në një tavolinë, ne do të ndihmojmë me shumë dëshirë. Nëse nuk duan ne do të vazhdojmë të ndihmojmë që ata të gjejnë ndonjë zgjidhje”,- ka thënë Ivanko.

4 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›