Policia tenton të vendosë rendin në Lazarat pas disa dështimesh
GJIROKASTËR – Pas disa dështimesh, forcat e policisë në rrethin e Gjirokastrës kanë bërë përpjekjen e radhës për të vendosur rend në fshatin rebel të Lazaratit. Menjëherë pas ndryshimit të drejtuesve në Policinë e Qarkut të Gjirokastrës, përgjatë 36 orëve të fundit ka nisur operacioni i koduar me emrin “Siguria e jetës”, i cili ka përfunduar me ndalimin e 9 personave, prangosjen e tre prej tyre, ndëshkimin e dhjetëra drejtuesve të mjeteve dhe vënien e gjobave në vlera në konsiderueshme financiare. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se tre prej të ndaluarve janë lënë në burg për “kundërshtim me dhunë të forcave të policisë”. Sipas tyre, njëri nga të prangosuri është shtetasi Oldian Proko, 19 vjeç, lindur dhe banues në Lazarat. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, kanë ushtruar kontroll në rrugën nacionale Gjirokastër-Kakavijë, në vendin e quajtur Kordhocë dhe ndalën vëzhgimin e tyre, në një automjet tip “Benz”, pa targa, i drejtuar nga 19-vjeçari Oldian Proko. Banori nga Lazarati, po zbriste nga fshati për në drejtim të rrugës nacionale, kur është konstatuar se në dyshemenë e karriges së pasagjerit ndodhej një armë zjarri automatike model 56, me krehër të mbushur me fishekë. “Menjëherë është bërë shoqërimi i mjetit për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, si dhe arrestimi në flagrancë i Oldian Prokos për veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje”, - sqaruan zyrtarët e policisë. Operacioni ka vijuar në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë në vendin e quajtur Kordhocë, rreth orës 13.00 të ditës së mërkurë, ku forcat e FNSH kanë ushtruar kontroll në dy mjete transporti tip “Benz” kamionçinë, të cilat transportonin ujë me cisterna metalike në drejtim të fshatit Lazarat, konkretisht në kamionçinën me targa Gj 1330 A dhe në kamionçinën tip “Benz” pa targa. “Nga kontrolli i ushtruar rezultoi se, këto mjete ishin pa dokumentacionin përkatës dhe për këtë arsye janë bllokuar në pikën e bllokimit të Komisariatit të Policisë”, sqaruan zyrtarët rajonalë. Dyshohet se këto mjete transportonin ujë për vaditjen e bimëve narkotike. Gjatë shoqërimit të njërës kamionçinës, rezultoi se mjeti ishte pa targa dhe më pas është dërguar për në pikën e bllokimit, Urim Mahmuti, 19-vjeçar, lindur dhe banues në fshatin Lazarat, si dhe Xhemal Mahmuti, 46 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Lazarat (djali dhe babai) kanë kundërshtuar me dhunë forcat e policisë të cilat po bënin shoqërimin e këtij mjeti për në pikën e bllokimit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se operacionet do të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim. Madje, forcat e rendit kanë kërkuar ndihmën e komunitetit. Pak ditë më parë Policia e Shtetit shkarkoi dhe transferoi thuajse të gjithë drejtuesit e Drejtorisë së Policisë në Qarkun jugor për shkak të incidenteve të ndodhura dhe dështimit të operacioneve anti-Cannabis në Lazarat.
REZULTATI I OPERACIONI
3 persona të arrestuar
144 masa administrative
4 mjete të bllokuara
14 mjete të ndaluara
3 patenta janë pezulluar
4 Shtator 2008