E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e shqiptarëve, të ndëshkuar për bukën e gojës



C. Teleford Erikson

“Uria” është një fjalë e shëmtuar. Ajo nuk do të dukej mirë në fillim të një menyje për Krishtlindje. Megjithatë, kjo është ajo që unë duhet të kem në fillim të menysë time. Do të ishte më mirë që lexuesit të dinin diçka për këtë gjë. Ndërsa përpiluesit e hartave të Parisit dhe të Versajës, po të krijonin shtetet e reja dhe po të dyfishonin përmasat e të tjerëve, duke lëshuar paksa dorë, më tepër se gjysma e popullsisë së Shqipërisë nuk do të lihej jashtë kufijve të saj. Këto minoritete “të padëshiruara”, që zgjeroheshin nga kufijtë e saj në Lindje dhe në Jug, po zëvendësohen me shpejtësi nga nacionalitete të vendeve të ndryshme; ndërsa ata, të pastrehët, pa asnjë kacidhe në xhep dhe pa asnjë qëllim për jetën, janë duke marshuar me familjet e tyre drejt Shqipërisë.
Varfëri ekstreme
Dyzet e shtatë prej këtyre familjeve janë vendosur në territorin e shkollës tonë ndërsa unë ndodhesha në Amerikë duke mbledhur fonde për të financuar punëtorët dhe pajisjet për fillimin e godinës së re. Atje tej duken kapelat e tyre të mbuluara me baltë dhe të grumbulluara me njëra-tjetrën, si një tufë bagëtish të lëna jashtë, në stuhi. Midis tyre, duke vuajtur në të ftohtë, nga uria, malaria, pneumonia, tuberkulozi, ndodhen 300 nga qeniet më të pastra të racës së bardhë, më të lashtat në Europë, - shqiponjat e Alpeve të Shqipërisë. Gjatë takimit me kryetarët e familjeve vëren një qenie njerëzore 6 këmbë të gjatë, kockë e lëkurë, me veshje të grisura, ku aty-këtu u duket mishi i bardhë i trupit.
Tragjedi e gjallë
Por, me një vështrim më të qartë, dallon kokën e lartësuar, buzëqeshjen në fytyrë dhe shfaqjen e arrogancës në ecjen e tyre. Nëse i pyesni si janë ata dhe familjet e tyre, do të dëgjoni vetëm një përgjigje: “Mirë”. Pasi të kalojnë dhjetë minuta, me qetësi, ata do të fillojnë të më tregojnë se nuk kanë pasur ushqim; fëmija ose nëna po i vdes urie, ose kanë vdekur një ditë më parë; ose e gjithë familja është sëmurë dhe nuk ka as mjekim, as ushqim për trupat që dergjen në shtrat. Por ata nuk do të më luten; as do të pranojnë bamirësinë time. Ata kërkojnë punë.
“Na lejoni të plugojmë një ditë me traktor dhe do t’ju falim dhjetë ditë, sa dëshironi ju, në këmbim të punës”. Traktori po plugon tani atje dhe nëntë burra të uritur po gërmojnë një gropë për ne për të cilën ata do të shpërblehen me një kupë groshë dhe aq bukë sa ata janë në gjendje të hanë; - Zoti po i bekon ata. Por, këtu qëndron tragjedia e tyre.
Apeli për ndihmë
Qeveria shqiptare ka vendosur mënjanë rreth 1000 akra tokë të papunuar për Shkollën Shqiptaro-Amerikane të Bujqësisë. Secili nga këta njerëz mund të punësohet për të pastruar tokën, për ta kultivuar atë, të mbjellë pemë dhe kopshte, të gërmojë gropa, të ndërtojë gardhe dhe rrugë; të nxjerrë gurë për ndërtimet. Ata munden dhe kanë zell për të bërë një punë.
Por jashtë shumës së kufizuar që më është dhënë mua për të filluar këtë shkollë, nuk kam asnjë fond në dispozicion. Me sa shoh, kjo më bën të mendoj se refugjatët “do të vdesin urie”. Për 100 dollarë ne mund të sigurojmë 200 ditë pune në vit për një burrë. Këto para do ta shpëtonin familjen e tij. Kjo do të na lejonte ne ta ndihmonim atë me tokën e tij dhe drithërat; me 5000 dollarë do të kujdeseshim për të dyzet e shtatë familjet në të njëjtën mënyrë, për një periudhë kohe 1-vjeçare. Në vend që t’i varroste këta njerëz, do t’i jepte atyre një punësim të kënaqshëm dhe do t’i hapte rrugën e lumturisë familjare të tyre. Në të njëjtën kohë, çdo dollar i investuar do t’i kthente mbrapsht shkollës një dollar fitim.
Ju lutem, të dashur miqtë e mi amerikanë, më ndihmoni ta fshij këtë fjalë kaq të shëmtuar nga menyja ime e Krishtlindjeve, duke u bërë dhe ju pjesëmarrës në Financimin e Punësimit të Refugjatëve. Dhjetë kontribute nga 10 dollarë secili i shpëton jetën një familjeje.

Letra i është dërguar botuesit të “The New York Times”-it dhe është publikuar më 24 janar 1926.
Autori ka qenë misionar për zhvillimin e arsimit në Shqipëri gjatë viteve ‘20
Titulli është redaksional

Në numrin e ardhshëm do të lexoni

Ndihma e misioneve amerikane për sistemin shkollor profesional në Shqipëri

Vijnë reagimet e para pas apelit të lëshuar nga Eriksoni përmes gazetës amerikane “The New York Times”

W. D. Wope analizon situatën social-ekonomike në Shqipëri dhe problemet që ka sektori i bujqësisë

Roli i Shkollës Bujqësore Amerikane në Kavajë dhe Kryqi i Kuq Amerikan në edukimin e brezave në vend

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

4 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›