E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humb jetën 16 vjeçari, u përplas me një makinë



KUKËS - Një 16 vjeçar nga Kukësi humbi jetën mesditën e së mërkurës, pasi u përplas nga një automjet teksa po udhëtonte me biçikletë në një nga lagjet e qyteti të Kukësit. Zëdhënësja e Policisë së qarkut të Kukësit, Irena Kroi, tha se " E.K, 16 vjeç, humbi jetën rreth orës 13:00 të mesditës së djeshme në lagjen nr.3, kur një automjet tip "benz", me targë KU 1439 A, që drejtohej nga Rexhep Matmuja, 25 vjeç, e ka përplasur në asfalt duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme". Sipas zëdhënëses, policia e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ka shoqëruar në komisariat 25 vjeçarin Matmuja, si dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në shtatë muajt e parë të këtij viti në qarkun e Kukësit kanë humbur jetën 7 persona gjatë aksidenteve automobilistike.

Sherri për radhën e shkarkimit në port, prangosen dy persona

VLORË - Sherri për radhën e shkarkimit të mallrave në Portin e Vlorës ka degjeneruar në përleshje dhe zënie me grushte, duke detyruar policinë që të ndërhyjë, e cila ka ndaluar dy persona. Incidenti është shënuar në orët e vona në mbrëmjes së dy ditëve më parë Burimet zyrtare të policisë lokale bëjnë të ditur se kanë rënë në pranga shtetasit Pëllumb Brokaj, 51-vjeç, banues në Vlorë dhe Arben Saliu, 42-vjeç, banues në Kuçovë. Ata janë akuzuar për kundërshtim me dhunë të punonjësit të portit e më pas edhe atij të policisë. “Këta dy shtetas janë ndaluar, sepse pas një sherri të ndodhur në port për radhën e shkarkimit kanë kundërshtuar me dhunë punonjësin e portit, si edhe të policisë, që mbërriti në vendin e ngjarjes më pas”- thanë të njëjtat burime. Dy personat, përfaqësues të dy firmave të gazit, ishin duke pritur në port për të bërë shkarkimin e mallit dhe kanë pretenduar se ishin ata në radhë.

Nisin hetimet për djegien misterioze të benzit

KORÇË – Një automjet është djegur në qytetin e Korçës dhe policia vendase thotë se po heton rrethanat e ngjarjes dhe autorë të mundshëm të saj. Ngjarja ndodhi rreth orës 2.00 të mëngjesit të djeshëm në qendër të qytetit të Korçës. Makina në pronësi të shtetasit Vladimir Zabuni, tip “Benz” me targa KO 6310 A, ka marrë zjarr papritur.
Sipas hetimeve të para, makina ishte parkuar poshtë banesës dhe dy orë më pas, është konstatuar zjarri. Ekspertët konstatuan se ishin djegur me zjarr pjesët e brendshme të motorit të automjetit. Dyshimet e para bien mbi zjarr që përfshiu paketën elektrike duke sjellë dëmtimin e makinës në tërësi. Hetimet janë përqendruar në mundësinë e djegies në rrethana aksidentale të makinës.

Ndalohet 34-vjeçari, dhunoi kryeplakun e fshatit

SHKODËR – Më në fund ka rënë në pranga autori që dhunoi kryeplakun e fshatit Stajkë në komunën e Bushatit në rrethin e Shkodrës. Burimet policore të rrethit verior bëjnë të ditur se mbrëmjen e së martës efektivat e komisariatit të qytetit të Shkodrës, bënë të mundur kapjen e shtetasit Kastriot Gavoçi, lindur e banues në fshatin Stajkë. Ndaj tij kishte një denoncim të bërë nga shtetasi Ardjan Doçi, me detyrë kryeplak në këtë fshat. Ngjarja ka ndodhur 11 ditë më parë në komunën e Bushatit, ku kryeplaku Doçi ka marrë dëmtime të shumta në trup, dhe më pas është dërguar në spital. Dosja e materialeve në ngarkim të shtetasit Kastriot Gavoçi i kaloi Prokurorisë së rrethit, e cila vendosi që shtetasi Kastriot Gavoçi të ndiqet në gjendje të lirë, për veprën penale të “plagosjes së lehtë, me dashje”.

4 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›