E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haraçija e Morina, para gjykatës së Hagës



Ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraçija dhe gazetari Bajrush Morina kanë udhëtuar dje drejt Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës pasi më 8 shtator ata do të përballen me akuzat shpërfillje të Gjykatës, për frikësim dhe bindje të dëshmitarëve në rastin e gjyqit ndaj “Ramush Haradinajt dhe të tjerët”. Para se të largohej nga Prishtina ish-ministri i Kulturës Haraçija deklaroi se ishte i pafajshëm dhe u shpreh i bindur se do të dëshmonte pafajësinë e tij edhe para gjykatës. Sipas Gjykatës Ndërkombëtare, Astrit Haraçia dhe Bajrush Morina janë fajtorë dhe duhet të gjykohen pasi kanë shkelur rregullat e vendosura.
Haraçia ka qenë Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe një nga personat që ka mbrojtur Ramush Haradinajn, ndërsa Bajrush Morina i punësuar si këshilltar politik i tij si dhe redaktor i gazetës “Bota Sot”. Në lidhje me këtë çështje, disa ditë më parë Gjykata Ndërkombëtare e Hagës shpalli fajtor gazetarin Baton Haxhiu dhe e dënoi atë me 7 000 euro gjobë të cilat u detyrua t’i paguante brenda maujit gusht. Haxhiu u akuzua për shkelje të rregullave të gjykatës, duke publikuar emrin e një dëshmitari të mbrojtur. “I akuzuari është fajtor për shkelje të rregullave të gjykatës dhe dënohet me gjobën prej 7 000 eurosh që duhet t'i paguajë brenda 30 ditëve”, deklaroi gjykatësi Alfons Orie. Haxhiu akuzohet se ka publikuar në një nga artikujt e tij, identitetin e një dëshmitari të mbrojtur gjatë procesit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të ish-kryeministrit kosovar, Ramush Haradinaj.

4 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›