Barroso i shkruan kryeministrit: "Tashmë, ne po i çojmë marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së në një nivel tjetër."
-Barroso:"Jam i bindur se do ta implementoni MSA-në me sukses."
Në një letër shkruar për kryeministrin Berisha dhe dorëzuar atij nga Lutz Salzman, ambasador i Komisionit Evropian në Tiranë, Kryetari i këtij Komisioni, z.Barroso shprehet:
"Do të doja t'Ju falenderoja për pritjen që më bëtë gjatë vizitës sime në Tiranë së bashku me Komisionerin Rehn, me datë 18 shkurt.
Ishte një kënaqësi e madhe për mua që pata mundësinë të merrja pjesë në siglimin e Marrëveshjes së Stabilizim Associimit. Ky ishte një hap i rëndësishëm drejt finalizimit të saj. Tani Komisioni do t'i propozojë Këshillit nënshkrimin e Marrëveshjes. Jam i bindur se ju do ta implementoni atë me sukses. Një ecuri pozitive disa-vjeçare në implementimin me sukses të marrëveshjes është e nevojshme, përpara se Shqipëria të bëjë hapa të mëtejshëm zyrtarë drejt BE-së.
Tashmë, ne po i çojmë marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së në një nivel tjetër. Është e rëndësishme që ju të arrini të ndërtoni një konsensus konstruktiv politik për axhendën europiane. Partneriteti Europian do t'ju udhëheqë në përpjekjet tuaja për reforma. Prioritetet e BE-së përfshijnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si pjesë e forcimit të gjithanshëm të shtetit ligjor, garantimin e të drejtës së pronësisë, të lirisë së medias dhe të kapaciteteve administrative të nevojshme për të adresuar këto dhe sfida të tjera me të cilat përballet Shqipëria.
Në veçanti, unë përshëndes rolin e Shqipërisë në rritjen e stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon. BE-ja i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit rajonal pasi kjo është një pjesë e rëndësishme e procesit të Integrimit Europian. Unë kam besim se ju do të vazhdoni rolin tuaj konstruktiv në kohën kur bashkëpunimi rajonal po vihet gjithnjë e më shumë në qendër të vëmendjes së vendeve të rajonit .
Komisioni e mbështet fort propozimin për krijimin e një marrëveshjeje rajonale të tregëtisë së lirë. Integrimi rajonal i tregtisë do të kontribuonte në zhvillimin ekonomik të rajonit dhe do të jepte një sinjal të fuqishëm për investitorët e huaj. Komisioni do të vazhdojë të japë këshilla dhe asistencë teknike për këtë. Komisioni po përgatit gjithashtu një zonë diagonale akumulimi të origjinës për të promovuar tregtinë ndërmjet BE-së dhe gjithë atyre vendeve të Ballkanit Perëndimor të cilat plotësojnë kushtet e nevojshme për të.
Komisioni ka në plan t'u propozojë Vendeve Anëtare lehtësimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor. Në mënyrë që t'a çojmë përpara çështjen e vizave, është thelbësore arritja e progresit të mëtejshëm në reforma, veçanërisht përsa i përket shtetit ligjor.
BE-ja mbetet e angazhuar për Integrimin Europian të Shqipërisë dhe fqinjëve të saj. Ne do të vazhdojmë t'ju ndihmojmë për arritjen e këtij objektivi."