Kryeministri Sali Berisha merr pjesë në Samitin e Partive Popullore në Bruksel
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë të enjten në punimet e Samitit të Partisë Popullore Europiane që u zhvillua në Meise, në një kështjellë pranë Brukselit. Ky Samit mbahet në prag të Samitit Europian që do të zhvillohet në fund të muajit mars në Romë. Të pranishëm ishin gjithashtu kryeministra dhe kryetarë të partive të djathta europiane të cilët janë aktualisht në pushtet si dhe nga vendet e tjera të Europës. Në këtë samit merrnin pjese dhe Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, Kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni, Kancelari i Austrisë Wolfgang Shussel, Presidenti i Komisionit Europian Hose Manuel Barroso, Kryeministri i Hollandës Jan Pieter Balkanende, Kryeministri i Luksemburgut Jean-Claude Juncker, Kryeministri i Greqisë Kostas Karamanlis, Kryeministri Bavarez Edmund Stoiber, Kryetari i Komisionit Parlamentar përÇështjet e Jashtme në Parlamentin Europian, Elmar Brok, Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë Pier Ferdinand Casini, si dhe shumë personalitete të së djathtës europiane.
Samitin e hapi Presidenti i Partisë Popullore Europiane, Wilfried Martens. Qëllimi i Samitit ishte përgatitja dhe miratimi i dokumenteve për Kongresin e ardhshëm të PPE-së që do të mblidhet në Romë me datat 30-31 mars. Presidenti i KE-së Barroso dhe Kancelari Shussel, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së BE-së, paraqiten axhenden e çështjeve që do të diskutohen sot edhe nesër në Samitin Europian.Çështjet kryesore ishin, kërkimet shkencore, politikat e përbashkëta për energjinë, zhvillimi i sipërmarrjes private, etj.
Gjatë punimeve të Samitit dhe drekës së shtruar me këtë rast, z. Berisha pati takime me kryetarë të qeverive dhe të shteteve, të pranishëm në samit. Në këto takime, ai kërkoi mbështetjen për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Kryeministri Berisha falënderoi Kancelarin austriak, Wolfgang Shussel, për të gjithë mbështetjen që Austria i ka dhënë përfundimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe përgatitjeve për nënshkrimin e saj. Kryeministri Berisha pati bisedime dhe ftoi Kancelaren gjermane, Angela Merkel për një vizitë në Shqipëri, e cila pranoi ftesën për të vizituar vendin tonë në një kohë të përshtatshme. Kryeministri Berisha bisedoi gjithashtu edhe me Kryeministrin italian, Silvio Berluskoni, Kryeministrin grek Kostas Karamanlis, Kryeministrin e Luksemburgut, Jean Claude Juncker, si dhe kryeministra dhe kryetarë të tjerë shtetesh, përfaqësues të së djathtës europiane.