Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e përcjelljes të kontigjentit të 7-të paqeruajtës me mision në Irak

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë, të premten, në ceremoninë e përcjelljes së kontigjentit të 7-të paqeruajtës me mision në Mosul, Irak. Në ceremoninë, e zhvilluar në Regjimentin Komando në Zallherr, ishin të pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, ambasadoria e SHBA-së në Tiranë, Marsi Ries, ushtarakë të lartë dhe familjarë të paqeruajtësve të kontigjentit të 7-të.
Në fjalën përshëndetëse, duke e quajtur mision e tyre mision të lirisë, z. Berisha tha se "me këtë mision ju bëni krenar jo vetëm familjet tuaja, por edhe të gjithë shqiptarët që i besojnë lirisë. Misioni juaj në Irak është mision paqeje dhe sigurie. Me këtë mision ju bëtë që Shqipëria të shndërrohet në një eksportues sigurie, të kontribuojë në zhvillim dhe paqe. Jam i bindur se do të ngreni më lart emrin e lirisë, emrin e shkëlqyer të njësisë suaj, por edhe të shtetit shqiptar dhe të vendit në tërësi". Duke siguruar për mbështetjen dhe vëmendjen e plotë të qeverisë shqiptare, kryeministri vlerësoi se Forcat e Armartosura kanë krijuar një traditë të shkëlqyer me vlera të padiskutueshme në përmbushje të angazhimeve shqiptare në operacione paqeruajtëse jashtë vendit. "Kontributi juaj në këtë mision të rëndësishëm, si pjesë e kësaj tradite të krijuar nga paraardhësit do të konsolidojë dhe më tej jo vetëm vlerat e forcave të armatosura, por edhe të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar". Duke e konsideruar misionin në Irak si mision integrimi dhe kontribut thelbësor për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, z. Berisha theksoi se "anëtarësimi i vendit në NATO është shërbimi më madhor që ju dhe të gjithë shqiptarët mund t'i bëjnë sigurisë dhe të ardhmes së vendit të tyre. Dua t'ju jap ju fjalën se qeveria është e vendosur të ndërmarrë çdo hap, të paguajë çdo çmim për modernizimin tuaj, për t'ju bërë ju forca të armatosura të afta, të denja, që të përmbushni standartet e NATO-s dhe vendi të meritojë në samitin e parë të zgjerimit ftesën për t'u anëtarësuar në këtë aleancë, e cila është faktuar si aleanca më e shkëlqyer dhe e fuqishme lirimbrojtëse e të gjitha kohërave". Kryeministri falenderoi gjithashtu ambasadoren Ries për mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë Forcave të Armatosura Shqiptare dhe paqeruajtësve tanë me mision në Irak. "Është një nder për shqiptarët, që bijtë e tyre të qendrojnë krah për krah me ushtarakët e atij kombi dhe atij vendi që ka kontribuar më shumë se çdo komb e vend tjetër në lirinë e popujve të Europës, në lirinë e popujve të botës, në lirinë e kombit shqiptar. Ndaj kam shumë kënaqësi t'ju përcjell sot, sëbashku me ambasadoren e SHBA-së. Edhe një herë ju uroj rrugë të mbarë, Zoti ju bekoftë ju, misionin tuaj, flamurin tuaj dhe vendin". Më pas kryeministri zhvilloi një bisedë telefonike me komandantin e paqeruajtësve tanë në Irak dhe i dorëzoi flamurin kombëtar komandantit të kontigjentit të 7-të paqeruajtës.