Kina 'kërcënon' rrjetin Google
Autoritetet kineze kanë reaguar në mënyrë të menjëhershme ndaj kompanisë 'Google' pas njoftimit të kompanisë "Mountain View", për transferimin e trafikut të informacionit nga Kina për në shtetin e Hong Kongut.
"Vendimi i Google për transferimin e trafikut të informacionit në Hong Kong është një vendim i gabuar që shkel një garanci të nënshkruar mes kompanisë dhe Kinës", thuhej në deklaratën e Pekinit zyrtar, e cila u citua prej agjencisë kineze të lajmeve "Xinhua".
Në po këtë deklaratë Kina është shprehur se kompania "Google" nuk po respekton ligjet dhe rregulloret e shtetit kinez. Autoritetet e shtetit më të madh aziatik janë shprehur në mënyrë indirekte se nëse "Google" nuk do të respektonte këto ligje atëhere do të kishte pasoja të shumëfishta financiare.
Ndërkohë, pas vendimit të "Google", ka reaguar edhe Shtëpia e Bardhë që ka shprehur zhgënjimin e saj për mosarritjen e një marrëveshje mes motorit të kërkimit dhe Kinës.
"Jemi të zhgënjyer që nuk u arrit një marrëveshje mes Kinës dhe Google që do t'i lejonte kompanisë vazhdimin e aktivitetit të saj në Kinë", thuhet në deklaratën e Uashingtonit.
Google njoftoi ditën e hënë transferimin e trafikut drejt Hong Kongut duke ofruar për vendin komunist shërbime vetëm në fushën e shit-blerjeve për të shmangur censurën kineze.