Spanja kërkon zgjidhje sa më të shpejtë për Greqinë

Presidenca spanjolle e BE-së u shpreh ditën e hëne se është në favor të parimit që një ndihmë financiare për Greqinë të miratohet gjatë një samiti të drejtuesve evropianë i parashikuar për këtë javë, pavarësisht ngurrimeve të forta të Gjermanisë.
"Presidenca spanjolle do të përpiqet që ta ndihmojë shtetin grek", i deklaroi shtypit ministri i Jashtëm spanjoll, Miguel Angel Moratinos, në një mbledhje të homologëve të Bashkimit Evropian në Bruksel.
"Ky është një moment i rëndësishëm për të ardhmen e BE-së dhe euros. Do t'i bëjmë të gjitha përpjkjet për të dhënë këtë besim, këtë solidaritet që besoj se Greqia e meriton falë masave që qeveria e Jorgo Papandreut ka marrë tashmë", shtoi ai.Greqia dhe Komisioni Evropian këmbëngulin në faktin që kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE-së të miratojnë gjatë samitit të tyre të enjten dhe të premten në Bruksel zbatimin e një mekanizmi ndihme financiare për Greqinë, që do të përdoret vetëm në rast nevoje.Athina shpreson që falë një sinjali të tillë të mund të sigurojë tregjet financiare dhe të marrë hua me vlera më të ulëta se ato ekzistuese për të financuar defiçitin e saj.Por, kancelarja gjermane Angela Merkel tani për tani nuk pranon ta marrë një angazhim të tillë.
"Nuk besoj se Greqia ka nevojë për para dhe qeveria greke sapo e konfirmoi këtë. Prandaj nuk ua këshilloj të shkaktojnë luhatje në tregje, duke i sjellë shqetësime të rreme Këshillit të Evropës ditën e enjte", u shpreh Merkel ditën e diele.