Presidenti Obama kërcënohet me vdekje
Presidenti amerikan Barak Obama pas suksesit të madh që arriti që të kalojë në Kongresin amerikan paketën ligjore më të kushtueshme të të gjitha kohërave, është kërcënuar me vdekje.
Mesazhet kërcënuese ndaj presidentit me ngjyrë kanë ardhur në drejtim të tij në faqen e tij personale në adresën e famshme virtuale të "Twitter"-it.
"Amerika mbijetoi pas vrasjes së Linkolnit dhe Kenedit, do të mbijetojmë edhe pas një plumbi në kokën e Obamës", shkruan në "Twitter" Solli Forell, nje bloger konservator.
Mesazhi i ka kushtuar Forell, shkruesit të mesazhit, vendosjen nën shënjestrën e shërbimeve sekrete amerikane, të cilat kanë nisur hetimet ndaj tij.
"Kemi nisur hetimet. Në respekt të plotë të lirisë së shprehjes do të sigurohemi që gjithçka të mbetet brenda caqeve të kësaj lirie", deklaroi për televizionin amerikan ABC një zyrtar i lartë i agjencisë përgjegjëse për sigurinë e presidentit.
Kjo është hera e parë që bëhet publike një kërcënim direkt për jetën e personit më të pushtetshëm në SHBA.