Barroso:Ndryshimet e bëra, të suksesshme
Kryeministri Sali Berisha është pritur të martën pasdite në Bruksel nga Jose Manuel Barroso, Kryetar i Komisionit Evropian. Kryeministri Berisha paraqiti punën e deritanishme të qeverisë duke e vënë theksin tek përpjekjet për rivendosjen e sundimit të ligjit, luftimin e ekstralegalitetit, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai kërkoi njëkohësisht ndihmën e Komisionit Evropian në fushat e arsimit, energjisë si dhe për realizimin e projekteve rajonale për infrastrukturën.
Z.Barroso vuri në dukje se kryeministri Berisha ka një shikim të qartë të gjërave, të cilat i konstaton edhe Bashkimi Evropian.
Ai i vlerësoi si të suksesshme ndryshimet e bëra dhe mbështeti vendosmërinë e qeverisë për reformat. Kryetari i Komisionit Evropian theksoi edhe domosdoshmërinë e gjyqësorit dhe të lirisë së mediave, pika në të cilat gjeti gjithashtu miratimin e plotë të kryeministrit Berisha.
Duke folur për cështjen e Kosovës, z.Barroso u shpreh se roli konstruktiv i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm për stabilitetin në rajon.
Nga ana e tij z.Berisha siguroi se qeveria shqiptare do të mbështesë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare në përcaktimin e statusit të Kosovës dhe theksoi qëndrimin e tij të njohur për rëndësinë e respektimit të të drejtave dhe lirive të pakicave, kthimit të të zhvendosurve, decentralizimit si dhe dialogut Prishtinë-Beograd për cështje të tjera jashtë statusit. Ai u shpreh se statusi i Kosovës është një cështje e qytetarëve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare dhe se ai duhet të përcaktohet në përputhje me vullnetin e qytetarëve të saj, shprehur në mënyrë të përsëritur për pavarësi.