E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drekë pune e Kryeministrit Sali Berisha me zv/Presidentin e KE-së Franko Fratini

Në vijim të vizitës së tij në Bruksel Kryeministri Sali Berisha pati një drekë pune më zv/Presidentin e Komisionit Europian, Franko Fratini. Gjatë drekës Kryeministri e njohu zv/presidentin Fratini me arritjet e qeverisë gjatë muajve të parë në pushtet, si dhe me vizionin e saj për luftë pa kompromis e tolerancë zero ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Nga ana e tij, z. Fratini, vlerësoi arritjet e qeverisë në këto fusha gjatë këtyre muajve të parë dhe theksoi se Komisioni Europian do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt reformave. Zv/Presidenti Fratini vlerësoi veçanërisht goditjet që i janë dhënë grupeve të krimit të organizuar në vend dhe theksoi domosdoshmërinë e vijimit të reformës në fushën e organeve të drejtësisë e të prokurorisë. Më tëj, bashkëbiseduesit u përqëndruan në rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar të institucioneve të zbatimit të ligjit. Ata ranë dakort për nënshkrimin së shpejti të marrëveshjes së bashkëpunimit të vendit tonë me Europol-in.

Në vijim të zbatimit të marrëveshjes së ri-pranimit Shqipëri-BE, Komisioni Europian po punon për të përgatitur një "road-map" lidhur me lehtësimin e regjimit të vizave. Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria do të vijojë të mbetet e angazhuar në bashkëpunim me BE-në dhe se lehtësimi i regjimit të vizave do të ishte një veprim i mirëpritur.

Kryeministri Berisha ftoi zv/Presidentin Fratini të vizitojë vendin tonë në një periudhë të përshtatshme për të, gjatë vitit të ardhshëm.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›