E Diel, 1 Nëntor 2026

Barrot: Maturi dhe kujdes me reformën në drejtësi

Zgjedhjet e 28 qershorit vazhdojnë të konsiderohen nga ndërkombëtarët si testi i politikës shqiptare për të dëshmuar pjekuri demokratike. Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Zhak Barrot, vijoi dje vizitën dyditore, duke takuar ministrat e kabinetit "Berisha", Enkelejd Alibeajn dhe Bujar Nishanin. Thelbi i takimit mes diplomatit evropian Barrot dhe ministrit të Drejtësisë Alibeaj ishte sistemi gjyqësor. Ndërsa kartat e identitetit, lufta kundër krimit të organizuar, masat që po merr Shqipëria për të ndaluar emigrimin klandestin ishin qëllimi i takimit të numrit dy të KE-së me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani. "Reformat në drejtësi duan maturi dhe kujdes, sepse rrethi i gjyqtarëve kudo është i ndjeshëm", u shpreh Barrot në takimin me ministrin Alibeaj. Ministri i Drejtësisë bëri me dije se "për të kryer reformën në drejtësi jemi përpjekur që të realizojmë ndërhyrjet e domosdoshme ligjore, por edhe të ruajmë konceptin e pavarësisë së sistemit".

Zëvendëspresidenti i KE-së do të raportojë në Bruksel situatën me të cilën u përball në Shqipëri dhe të dhënat e tij do t‘i shtohen raportit për Shqipërinë nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave. "Zhvillimi i zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare është momenti për të dëshmuar pjekuri demokratike", u shpreh Barrot. Zëvendëspresidenti i KE-së është informuar nga ministri Nishani në lidhje me përgatitjet për procesin zgjedhor. Ministri i Brendshëm i sqaroi diplomatit evropian se që nga muaji tetor funksionon një regjistër unik elektronik i shtetasve, nga i cili është gjeneruar edhe lista e zgjedhësve katër muaj para datës së zgjedhjeve.

Ministri Nishani informoi gjithashtu se brenda muajit maj do të pajisen me letërnjoftime të gjithë shtetasit që nuk zotërojnë pasaportën aktuale për udhëtim jashtë shtetit. Për sa i takon rolit të Policisë së Shtetit në zgjedhje, ministri i Brendshëm informoi se policia po trajnohet për këtë qëllim dhe roli i saj ka të bëjë vetëm me ruajtjen e rendit, sigurinë publike dhe shoqërimin e kutive të votimit. Barrot vlerësoi arritjet e policisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar, pasi ky është një ndër kushtet që vendi ynë duhet të plotësojë për të mbërritur te heqja e vizave. Zëvendëspresidenti i KE-së, njëkohësisht përgjegjës dhe për çështjet e drejtësisë dhe sigurisë në BE, u shpreh se "konstatoj me kënaqësi se keni kryer një punë të madhe, keni rezultate pozitive dhe i keni gjërat në dorë. Nga ana tjetër, rezultatet tuaja përbëjnë edhe argumente të rëndësishme për të mbërritur tek heqja e vizave për qytetarët shqiptarë. Është e rëndësishme gjithashtu t‘u shpjegoni shqiptarëve se jeni treguar të rreptë e të ashpër me të gjitha format e kriminalitetit, për të realizuar objektivin për t‘i futur në Evropë". Barrot, i cili është përgjegjës për çështjet e sigurisë, të luftës kundër terrorizimit, krimit të organizuar dhe të sistemit të drejtësisë në Komisionin Evropian, u njoh edhe me reformën në fushën e drejtësisë, me hartimin dhe miratimin e ligjeve të reja si ai prokurorisë, i organizimit të pushtetit gjyqësor, ligjit për ngritjen e gjykatave administrative dhe luftën ndaj korrupsionit.

Mediat e huaja

Vizat? Shqipëria mbetet

në trenin e dytë të KE-së

Mediat rajonale raportuan dje informacione konfidenciale se Komisioni Evropian do të publikojë raportin e monitorimit për vizat në datën 18 maj. Sipas këtyre agjencive maqedonase dhe serbe thuhej se "Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi do të kalojnë në grupin pozitiv, teksa Shqipërisë dhe Bosnjë Hercegovinës do t‘u kërkohen masa ekstra për të realizuar detyrimet e tyre". Në muajin qershor mendohet që Maqedonia të marrë rekomandimin zyrtar për kalim në listën e Shengenit të bardhë, që nënkupton heqjen e regjimit të vizave me vendet e BE-së. Grupi i vëzhgimit për vendet e Ballkanit pritet të mblidhet më 25 maj, për të diskutuar për raportin ku dhe do të jepen rekomandimet zyrtare të Komisionit Evropian. Zyrtarët e lartë të Brukselit deklaruan publikisht se perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor është e padiskutueshme. Por përtej kësaj është vënë theksi te plotësimi i kritereve dhe kushteve për heqjen e vizave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›