E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Merkato" e deputetëve në katër vite Parlament

Kur nuk ndjehesh rehat në grupin tënd parlamentar, mund të lëvizësh te tjetri, paçka se kapërcimi mund të jetë nga e majta në të djathtë, apo e anasjella. Me këtë filozofi kanë vepruar deputetët e Kuvendit të Shqipërisë në legjislaturën që po mbyllet. Në fillim të sesionit parlamentar në vitin 2005 u krijuan nëntë grupe parlamentare, por deri në fund të këtij mandati kanë ndryshuar disa herë përbërjen e tyre. Krijimi i kaq shumë grupeve parlamentare në një Parlament me 140 deputetë është bërë falë bujarisë së dy partive të mëdha, PD-së dhe PS-së, të cilat kanë huazuar ligjvënës sa majtas dhe djathtas për të bërë të mundur ekzistencën e nëntë grupeve parlamentare. Partia Demokratike hyri në Parlament me 56 deputetë, ndërkohë që zyrtarisht në grupin e saj rezultojnë të regjistruar 49 të tillë, pasi shtatë të tjerë i huazoi te disa parti të vogla, të cilave ju dha kështu mundësinë e krijimit të një grupi parlamentar. Selia blu i dha borxh katër deputetë grupit parlamentar të "Qendrës Demokrate" të kryer nga Vangjel Dule, kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Po kështu, në fillim të sesionit parlamentar PD-ja i huazoi edhe tre deputetë PAA-së së Lufter Xhuvelit, për të krijuar edhe kjo parti grupin e saj parlamentar të përbërë nga shtatë deputetë dhe që në Kuvend është regjistruar si grupi parlamentar i PAA-së. Këtij grupi, PD-ja u detyrua t‘i huazojë edhe një deputet tjetër, pasi Nikollaq Neranxi, pas një konflikti me kryetarin Xhuveli, u largua te grupi parlamentar i LSI-së. Në krah të mazhorancës ishte i regjistruar edhe grupi parlamentar i Reformator-Demokristianëve, i cili në vitin 2006 u nda duke krijuar dy grupe parlamentare më vete. Kjo, pasi demokristianët u larguan prej dy deputetëve reformatorë, Genc Pollo dhe Tritan Shehi, duke i lënë këta të vetëm. Ishte sërish Partia Demokratike ajo që shpëtoi partinë "bijë", duke i dhënë pesë deputetë hua për të krijuar grupin parlamentar reformator. Grup i cili ekziston dhe sot në Kuvend, pa pasur parti, pasi PDR-ja prej më shumë se një viti është shkrirë me partinë "mëmë", PD-në. Grupi i PDK-së u krijua me deputetë të tjerë të mbledhur, të cilët u larguan nga PD-ja dhe PS-ja. Krijimi i tij në vitin 2006 solli mjaft komente, pasi "merkato" e deputetëve sa nga e majta në të djathtë dhe bashkimi me PDK-në u komentuan si lëvizje për interesa të deputetëve të caktuar. Në vitin 2005, në Kuvend u regjistrua edhe grupi parlamentar i "Qendrës Liberal Demokrate" që kryesohej nga Neritan Ceka, por që mbahej gjallë falë deputetëve të dhënë borxh nga PS-ja. Pas vitit 2006, kjo parti kaloi një krizë, pasi deputetët e saj, Pashk Ujka dhe Pirro Lutaj, u larguan nga PAD-ja duke e lënë Neritan Cekën të vetëm. Ujka u bashku me PDK-në, ndërsa Lutaj u rikthye te PS-ja. Që atëherë, grupi i "Qendrës Liberal demokrate" është shkrirë dhe Neritan Ceka ka kaluar si deputet i pavarur. Ndryshim ka pësuar edhe grupi parlamentar LSI-PDS, i cili përbëhej nga 7 deputetë. Sot ky grup parlamentar quhet "E Majta për Integrim" dhe prej tij u largua Hamit Kosta, i cili u bashkua me PS-në. Të njëjtit grup ju bashkuan Nikollaq Neranxi i ikur nga PAA, Angjelina Kola e larguar nga PSD dhe Petro Koçi që braktisi PS-në. Sakaq, grupi parlamentar i PR-së ka nisur sesionin parlamentar në vitin 2005 me 11 deputetë dhe sot, në fund të mandatit parlamentar, është tkurrur dhe ka vetëm 8 deputetë. Nga epidemia e ndryshimeve është prekur edhe grupi i PSD-së së drejtuar nga Gjinushi. Pak muaj më parë nga ky grup është larguar deputetja Angjelina Kola, e cila i është bashkuar LSI-së, duke e lënë grupin e PSD-së me 6 deputetë. Nga grupi i PD-së janë larguar deputetët Gilman Bakalli dhe Spartak Ngjela. Ky i fundit u "ngri" nga Berisha pas përgjimit të një bisede mes tyre, që më pas u publikua në media. Sakaq, Bakalli u largua vetë, sepse ishte i pakënaqur me nivelin e demokracisë brenda partisë. Rrjedhjet më të mëdha rezulton t‘i ketë pasur grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Paulin Sterkaj, Durim Lamaj, Durim Hushi, Bukurosh Stafa, Taulant Dedja dhe Hamit Kosta u larguan pas votimit për zgjedhjen e Bamir Topit në krye të shtetit. Katër deputetët e parë krijuan një grup të ri parlamentar, "Grupi i Qendrës", pas huazimit të dy deputetëve të PD-së dhe afrimit në këtë grup të deputetit të PDK-së, Pashk Ujka. Dy deputetët e tjerë, Dedja dhe Kosta, u regjistruan si të pavarur. Si deputet i pavarur rezulton dhe Tom Doshi, i cili në Kuvend ka hyrë si i votuar i PS-së. Më pas ai u largua nga kjo parti për të kaluar te PDK-ja. Në shtator të vitit 2008 deklaroi publikisht se largohej nga PDK-ja për t‘u rikthyer sërish te PS-ja, por ky veprim nuk u krye konkretisht. Sipas rregullores, Doshi nuk u regjistrua zyrtarisht në Kuvend si deputet i PS-së.

Lëvizjet

Kur nuk ndjehesh rehat në grupin tënd parlamentar, mund të lëvizësh te tjetri, paçka se kapërcimi mund të jetë nga e majta në të djathtë, apo e anasjella. Kështu vepruan deputetët në legjislaturën që po mbyllet

Deputetët që zgjodhën

të jenë të pavarur

Në fillim të sesionit parlamentar nuk ka rezultuar asnjë deputet i pavarur. Sot, pas katër vitesh, rezultojnë shtatë të tillë në të dhënat zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë. Këta deputetë janë larguar nga parti të ndryshme politike, me argumentin se nuk kanë gjetur hapësirën e duhur për të shprehur mendimet e tyre. Deputetët e pavarur të Kuvendit që po mbyll mandatin janë: Taulant Dedja, Nikollë Lesi, Tom Doshi, Hamit Kosta, Neritan Ceka, Spartak Ngjela dhe Albert Farruku. Secili prej tyre ka një histori më vete në merkaton e grupeve parlamentare, që ngjau më shumë me një treg futbollistësh.

Mandatet që erdhën

pas 3 korrikut 2005

Gjatë këtij mandati katërvjeçar në Kuvend kanë ardhur edhe deputetë të rinj, megjithëse sezoni kishte nisur. I pari që i është bashkuar trupës së Kuvendit ka qenë deputeti Eris Hoxha, i cili ka zëvendësuar deputetin Besnik Jaçelli, që humbi jetën në një aksident të rëndë automobilistik. Më pas është futur në Parlament Osman Metalla, i cili ka zëvendësuar Sokol Olldashin. Ky i fundit e la Kuvendin, sepse garoi për kryetar të Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet lokale të 18 shkurtit. Deputeti më i ri është Edi Paloka, i cili zëvendësoi Bami Topin, pasi ky i fundit u zgjodh në detyrën e Presidentit të vendit korrikun e vitit 2007.

Grupet që kanë

shkelur rregulloren

Aktualisht në Kuvend ka tri grupe parlamentare të cilat ekzistojnë në shkelje të rregullores së Kuvendit të Shqipërisë. Rezulton që në përbërjen e tyre të kenë vetëm gjashtë deputetë. Rregulli është i detyrueshëm që grupi parlamentar të funksionojë vetëm nëse ka të paktën shtatë deputetë. Grupet parlamentare që kanë shkelur rregulloren janë "Qendra Demokrate", "Agrare Ambientaliste" dhe grupi "Demokristian". Duket se zyrtarët e Kuvendit nuk kanë dashur të prishin "qetësinë" e këtyre grupeve teksa nuk kanë ndërhyrë në këtë rast. Gjithsesi, efektet financiare janë shijuar nga kryetarët e grupeve njësoj si të ishin konform rregullave.

Ndryshimi edhe në

kryesimin e grupeve

Ndryshimi në përbërjen dhe numrin e deputetëve në grupet parlamentare nuk ishte i vetmi në këto vite. Të tillë procesi i janë nënshtruar edhe kryesuesit e grupeve parlamentare. Partia Demokratike ndryshoi drejtimin e grupit pas largimit të Bamir Topit, i cili u bë President. Në vend të tij u caktua deputeti demokrat, Astrit Patozi. Partia Socialiste e ka nisur punën me kryetar grupi Gramos Ruçin dhe pas disa muajve grupi është drejtuar nga Majko. Pas largimit të Majkos, timonin e mori Ben Blushi dhe sot është nën dirigjimin e deputetes Valentina Leskaj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›