Barrot: Vizat? Bosnja dhe Shqipëria mbeten prapa
Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Jacques Barrot, i ngarkuar me çështjet e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, por i njohur në Ballkan për çështjen e liberalizimit të vizave, ka shënuar në Luksemburg gafën e parë në lidhje me emrin e shumëpërfolur si zgjidhje e mundshme gjatë negociatave mes Maqedonisë e Greqisë, duke qenë i pari që, duke folur për vendin, e ka quajtur Maqedonia Veriore. Pasi ka raportuar mbi ecurinë e vendeve të rajonit në fushën e vizave para 27 ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian të mbledhur në takimin e radhës në Luksemburg, i pyetur nga gazetarët, Barrot ka thënë se vendet për të cilat mund të hiqen vizat deri në fund të vitit janë Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi. Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Jacques Barrot, i ngarkuar me çështjet e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë: "Ajo që mund të them është se sot ne kemi ndjenjën se IRMJ, pra Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi kanë bërë me të vërtetë përpjekje të mëdha. Pra ne mendojmë se duhet t‘i marrim parasysh këto përpjekje. Nuk është ende e sigurt, por ka një probabilitet që ne të propozojmë që për këto tri vende të realizohet në fund të vitit, por kjo është thjesht një propozim dhe insistoj pasi në këtë fazë nuk mund ta them me sigurinë e plotë. Por kjo gjë mund të bëhet pra në rast se vendet anëtare bien dakord". Ndërkohë që dihet se Maqedonia kryeson listën e vendeve të rajonit për nga përmbushja e kritereve për heqjen e vizave, vendet e BE-së duhet të vendosin sipas Jacques Barrot deri në fund të verës, apo edhe në fillim të vjeshtës, se a do të përfshihen në këtë grup edhe Serbia dhe Mali i Zi. Këto dy vende nuk janë në nivelin e Maqedonisë në plotësimin e kritereve që duhen për heqjen e vizave, por në Ballkan ka edhe më keq. Shqipëria dhe Bosnja nuk kanë përmbushur sa duhet asnjërin prej katër blloqeve të caktuara nga BE dhe as u përmendën në deklaratën e sotme të zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian.