Rama prezanton kandidatët në Korçë
Edi Rama është pritur në qytetin e Korçës nga mijëra simpatizantë, që si rrallëherë kanë mbushur jo vetëm Parkun Rinia, por edhe shëtitoren në qendër të të cilit është mbajtur mitingu hapës i kësaj fushate elektorale për të majtën socialiste. Me një performancë të veçantë, Rama, i shoqëruar nga 12 kandidatët për deputetë të kësaj force politike, i është bashkuar grupit të këngëtarëve "West Side Family" për të kënduar himnin e fushatës. Mitingun hapës të fushatës elektorale në qytetin e Korçës për të prezantuar kandidatët për deputetë, lideri socialist, Edi Rama, e ka quajtur një manifestim respekti për ata mijëra qytetarë të cilët kanë lënë çdo angazhim për t‘u njohur me programin e së ardhmes dhe të një politike për ndryshim. Kreu i PS u shpreh para korçarëve se ëndrra për ndryshimin dhe të ardhmen e vendit është vetëm 24 ditë larg. "Ëndrra juaj e madhe është shumë afër realizimit. Janë vetëm 24 ditë që na ndajnë nga e shkuara jonë dhe 24 ditë për t‘u bashkuar me të ardhmen", u shpreh Rama. Teksa iu referua programit të Partisë Socialiste, ai tha se prioritet është punësimi dhe bashkimi i shqiptarëve, duke hequr kufijtë dhe duke e bërë Shqipërinë një lagje të Evropës me 3 milionë banorë. "Liria na bashkoi 18 vjet më parë, por politika e vjetër ka 18 vjet që i mban shqiptarët të ndarë nga bota dhe Evropa. Sot është dita për t‘u bashkuar edhe një herë në botën e madhe, në Evropën ku do të integrohemi. Ne jemi vetëm një lagje prej 3 milionë banorësh dhe duke marrë në dorë fatin tonë do të bëjmë të mundur çdo gjë që duket e pamundur. Katër vjet më parë, Sali Berisha kërkoi votën tuaj për të hequr vizat, por u bënë 18 vjet që shqiptarët vazhdojnë të jenë të mbyllur e Sali Berisha sërish kërkon vota dhe thotë se do të heqë vizat", theksoi Rama. "Sot, vijoi ai, ne nuk premtojmë, por angazhohemi se në 2010, familjet tona nuk do të jenë më të ndara nga kufij ku kalohet me viza, por do të hyjnë dhe dalin të lirshëm". Ai përmendi në Korçë rolin e rëndësishëm të emigrantëve, të cilët të parët u nisën nga ky qytet për të sjellë në vend dije e mençuri, edhe pse më pas familje të shumta u persekutuan për këtë shkak.