Forumet rajonale, Topi lobon për Kosovën
Gjatë vizitës së tij në Mal të Zi, ku u zhvillua Forumi Rajonal për Korridoret Kulturorë në Evropën Juglindore, me temë "Administrimi i Shumëllojshmërisë Kulturore dhe Promovimi për qëllime turistike", Presidenti shqiptar, Bamir Topi, vuri theksin te domosdoshmëria e përfshirjes së shtetit të ri e shumetnik të Kosovës në forume dhe nisma të tilla rajonale. Kreu i shtetit theksoi se "çdo nismë tjetër me karakter turistik apo kulturor rajonal nuk mund të lërë jashtë as ekzistencën e kontributin po aq të çmuar të popullit të Kosovës". Presidenti Topi u ka kujtuar të pranishmëve në forum se është "përgjegjësia jonë historike të pajtojmë të kaluarën me të tashmen dhe të jetojmë harmonikisht e në paqe me bashkëkohësit tanë, duke larguar paragjykimet, stereotipat dhe keqkuptimet e çdo lloji, ndërmjet popujve të rajonit, aty ku ato ekzistojnë ende". Sipas Topit, këtë frymë kanë nevojë t‘ju transmetojmë brezave të rinj, si një produkt, me karakter universal, të bashkëjetesës dhe si një garanci për një të ardhme më vitale të identitetit tonë kulturor. Duke vlerësuar qeverinë e Kosovës dhe politikën e saj paqësore, Presidenti Topi u shpreh se Kosova duhet të luajë me përgjegjësi një rol në këmbimet rajonale të politikave, ekonomisë, kulturës e sporteve. Është gjithashtu në interesin edhe të vendeve që nuk e kanë njohur ende Republikën e Kosovës të pranojnë angazhimin që qeveria e Kosovës do të ushtrojë në përgjegjësitë për ruajtjen e kulturës, në bashkëpunim me fqinjët.