E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Shtyrja e zgjedhjeve mbetet opsion i hapur

Partia Socialiste pranoi dje për herë të parë opsionin e shtyrjes së zgjedhjeve nëse vijon të konstatojë skenarë manipulimi përmes kartave të identitetit. Një prej zyrtarëve të lartë të selisë rozë, Fatmir Xhafaj, pasi dorëzoi tri kallëzime penale që lidhen direkt me procesin e kartave të identitetit, u pyet nga mediat se në rast se gjendja me kartat dhe listat nuk ndryshon, a rrezikohet data e zgjedhjeve. "Ne jemi duke e menduar seriozisht këtë gjë. Është bërë e njohur përmes konferencave të shtypit, deklarimeve publike, letërkëmbimeve të herëpashershme që kemi pasur me dikasterin përgjegjës në Ministrinë e Brendshme për këtë çështje", tha Xhafaj. Por, siç bëri të ditur ai, vendimi politik për një qëndrim të tillë do të vijë në një moment të përshtatshëm, pas një analize dhe monitorimi në terren të procesit të pajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti. "Nga ana tjetër, natyrisht, mbi bazën e këtij informacioni, ndjekjes së pandërprerë dhe një sistemi të plotë monitorimi që ne kemi në terren, në një moment shumë të përshtatshëm dhe të afërt ne do të marrim vendimet përkatëse politike. Natyrisht nuk përjashtohet asnjë opsion", konstatoi Xhafaj. Sekretari për çështjet ligjore sqaroi se selia rozë ka kërkuar dhe vazhdon të kërkojë të dhëna të plota, sepse mbi bazën e këtyre të dhënave mund të bëjë një gjykim real të situatës.

"Ne kemi kërkuar, tha ai, dhe vazhdojmë të kërkojmë të dhëna të plota, jo të dhëna të deformuara e të falsifikuara si këto që na janë dhënë sot, sepse mbi bazën e atyre të dhënave, ne do të kemi mundësi që të gjykojmë realisht mbi riskun dhe situatën konkrete lidhur me çështjen e kartave të identitetit".

Partia Socialiste ka kërkuar prej më se një muaji një informacion të plotë, të dhëna dhe shifra reale të procesit të pajisjes së shtetasve me kartë identiteti. Duke artikuluar kështu përmes zyrtarëve të lartë se nuk do të lejojë që rezultati i zgjedhjeve të deformohet apo manipulohet pikërisht përmes elementit më të rëndësishëm të tij, kartave të identitetit. Ngërçi qëndron te shtetasit pa pasaportë, për të cilët Ministria e Brendshme ka deklaruar se janë 730 mijë shtetas të kësaj kategorie. Shifër që asnjëherë nuk është pranuar si reale nga ana e Partisë Socialiste. Zyrtarët e saj kanë deklaruar se bëhet fjalë për një shifër shumë më të madhe, gati 900 mijë shtetas, që nëse nuk marrin kartën e identitetit nuk mund të votojnë. Nisur nga kjo situatë mosbesimi, PS-ja kërkoi në dy javët e fundit informacion zyrtar nga ana e Ministrisë së Brendshme përmes tri kërkesave të saj. PS-ja konstatoi se informacioni që iu nis nga ministria ishte jo i plotë, por pas një verifikimi doli në përfundimin se MB-ja ka falsifikuar të dhënat. Partia kryesore e opozitës vijon të mbetet e vendosur se "nuk do të lëmë asnjë qytetar që të mos i jepet mundësia në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit për të ushtruar të drejtën e votës".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›