E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Sejdiu fton serbët në zgjedhje

 

 Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u ka bërë thirrje autoriteteve të Beogradit që të ndërpresin “veprimet destruktive dhe të marrin përgjegjësitë për të sqaruar serbët e Kosovës, se Kosova është vend i tyre”. Në një intervistë për BBC, ai tha se Beogradi duhet të dërgojë këshilla pozitive te serbët e Kosovës që do të ishin të nevojshme për të mbështetur proceset, përfshirë edhe atë të zgjedhjeve lokale. Sejdiu u ka bërë thirrje edhe vetë serbëve të Kosovës dhe partive të tyre politike që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. Ai tha se institucionet e Kosovës nuk do të bëjnë presion mbi serbët, por do të japin një ofertë për procesin zgjedhor. Presidenti tha se në fillim të javës së ardhshme do të fillojë edhe konsultat me partitë politike në vend, dhe në veçanti me ato opozitare, për të nxjerrë një datë të preferueshme nga të gjithë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Ai tha se strukturat paralele serbe po e mbajnë situatën të tensionuar në Kosovë dhe e akuzoi Beogradin zyrtar se duke shpërdorur mbi 230 milionë euro të taksapaguesve evropianë ka financuar këto struktura paralele. Ai e cilësoi si një sekuencë të keqe klimën e krijuar pas mospjesëmarrjes në ceremoninë e përurimit të presidentit të Maqedonisë. “Unë si president i vendit, i shtetit më të ri në botë, do të përpiqem që të jap sinjalet më të mira pozitive të bashkëpunimit të ndërsjellë, në radhë të parë me vendet fqinje por edhe me vendet e tjera të rajonit”, tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›