Basha: Në qershor Rama nuk merr dot provimin
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, vazhdoi fushatën elektorale në Elbasan. Së bashku me të rinjtë e forumit rinor të PD-së, Basha i cili kryeson listën e kandidatëve për deputetë në këtë qark hodhi akuza të drejtpërdrejta për kreun e opozitës. "Edi Rama ka ngelur në çdo provim të dhënë para qytetarëve të Tiranës, prandaj nuk ka kurajë të futet në provimin e 28 qershorit", theksoi Basha. Shefi i diplomacisë shqiptare shtoi se "i vetmi provim që nuk ka humbur Rama, është ai i dhënies së shumicës së lejeve të ndërtimit bashkëpunëtorëve të tij". Duke ironizuar moskandidimin e kreut të PS në zgjedhjet e 28 qershorit, Basha shtroi pyetjet: "A merret dot një provim pa u futur në provim? Jo. A e di Edi Rama këtë? Jo. Kjo nuk është shkollë arti me korrespondencë që të bësh pikturat nga shtëpia dhe të japësh provimin".