Basha: Aksion kombëtar kundër drogës
GJIROKASTER
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha paralajmëroi dje në Gjirokastër, një operacion gjithëpërfshirës për çrrënjosjen e kanabisit në të gjithë vendin. Një ditë pas konferencës vjetore të luftës antikanabis, ministri Basha paralajmëroi dje se aksioni i policisë kundër kanabisit për vitin 2010, do të fillojë pikërisht në Gjirokastër. Ministri i Brendshëm ishte dje i pranishëm në Gjirokastër në një aktivitet sensibilizues kundër fenomenit të kultivimit të drogës. Gjatë fjalës së tij, Basha paralajmëroi siç tha ai "një operacion gjithëpërfshirës për çrrënjosjen e fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike". "Policia e Shtetit nuk është dhe nuk do të jetë e izoluar në operacionin gjithëpërfshirës që nis sot (dje) dhe ndalon me çrrënjosjen e çdo rrënje kanabisi në qarkun e Gjirokastrës", tha ministri Basha. Ai sqaroi se ky operacion do të mbështetet te komuniteti lokal, për të izoluar dhe goditur kultivuesit dhe trafikantët e bimëve narkotike, e njëkohësisht për të mos lejuar askënd të mbajë peng integrimin evropian dhe heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. "Prindërit e këtyre fëmijëve nuk janë të izoluar, këta fëmijë nuk janë të izoluar, as fermerët e Lazaratit nuk janë të izoluar. Të izoluar dhe pas hekurave, do të jenë ata që e mbollën këtë tregti dhe që përfitojnë nga kjo tregti", paralajmëroi ministri i Brendshëm. Ai shtoi se, "ky grusht njerëzish që do të tentojë të vazhdojë këtë aktivitet, do të ndjejë peshën e fortë të ligjit dhe do të përballet me drejtësinë çdo ditë, çdo javë, çdo muaj në vazhdim". Në konferencën e djeshme mbajtur në Gjirokastër, ishte i pranishëm edhe ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, deputetët e Qarkut të Gjirokastrës, Genc Ruli dhe Spiro Ksera, si dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj. Në takim ishin thirrur edhe të rinj, përfaqësues të pushtetit vendor, administratës publike dhe institucioneve të arsimit. Në takimin e djeshëm, ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Lazaratit Dasho Aliko, i cili tha se shteti duhet të ndërhyjë me mekanizmat e kontrollit, në mënyrë të specializuar për ndalimin e kultivimit të drogës si burimi kryesor i trafikut. Duke iu referuar banorëve të zonës në komunën e tij, në Lazarat, z. Aliko tha se banorët mund të vazhdojnë të kultivojnë bimë mjekësore, të cilat janë të ligjshme dhe mund të sjellin përfitime. Komuna e Lazaratit në disa zona të saj, konsiderohet si një nga "pikat e errëta" të hartës së kultivimit të drogës në Shqipëri. Dy ditë më parë, në një konferencë në Tiranë, me objekt luftën kundër drogës, problematike u konsiderua edhe komuna e Temalit në Shkodër dhe disa zona të Fierit, ku rezulton se kultivohet masivisht bimë kanabisi. e.d/p.n
Informatorët, Berisha kërkoi shpërblim
TIRANE - Në një konferencë kombëtare, mbajtur në Tiranë dy ditë më parë, Kryeministri Sali Berisha i kërkoi policisë dhe pushtetit lokal rritjen e nivelit të bashkëpunimit për të ashpërsuar luftën kundër drogës. Kryeministri pranoi se në vend vazhdohet të kultivohet drogë, ai madje tha se në disa raste parcelat e kanabisit janë po aq të dukshme sa ato të kallameve. Kryeministri kërkoi gjithashtu ndjekje penale për çdo kryetar komune, i cili ka dijeni se në territorin e drejtuar prej tij mbillet apo kultivohet kanabis dhe nuk e denoncon këtë fakt në polici. Në fjalën e tij Berisha kërkoi që Ministria e Brendshme të shpërblejë informatorët për rastet e kultivimit të drogës.