E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestat, Asambleja e PS vendos të shtunën



Socialistët do të vendosin të shtunën qëndrimin e tyre politik në raport me maxhorancën. Në orën 11 të së shtunës, Edi Rama do të mbledhë anëtarët e Asamblesë Kombëtare, me të cilët do të diskutojë rreth qëndrimit që kjo parti do të mbajë lidhur me protestat dhe përshkallëzimin e tyre. Drejtuesi i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, njëkohësisht dhe kryetari i grupit parlamentar, pritet t’i propozojë asamblesë miratimin e një rezolute e cila do të përmbajë qëndrimin politik të PS dhe kushtëzimin e tij me hapjen e kutive të votimit dhe hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Sinjalet që vijnë nga baza socialiste për radikalizim të qëndrimit të PS dhe deputetëve të saj dhe apeli i ndërkombëtarëve për të zgjidhur krizën vetëm në Parlament, do të jenë dilemat e vendimmarrjes së asamblesë kombëtare. Ndërkohë që grupi parlamentar ka vendosur një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin, qëndrim që do të rinovohet para çdo seance parlamentare, ku deputetët do të duhet të rishohin pozicionin e tyre në varësi të rendit të ditës së Parlamentit. Por ende nuk dihet nëse deputetët socialistë do të marrin pjesë në komisionet parlamentare për ato çështje që kanë të bëjnë me integrimin e vendit dhe funksionimin e institucioneve të pavarura, siç janë Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese, të cilat duhet të rinovojnë 8 anëtarë të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›