E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi i PS, debat për bojkotin



Aristir Lumezi

Grupi parlamentar socialist vendosi dje një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin.Në mbledhjen e djeshme, kryetari i grupit, Gramoz Ruçi, menjëherë pas fjalës së Edi Ramës, shprehu orientimin e tij për qëndrimin e ri të grupit socialist pas seancës së 18 marsit.a Ruçi u shpreh se deputetët socialistë duhet të jenë në seancë vetëm për çështjen e transparencës së zgjedhjeve dhe jo një bojkot total të Parlamentit. Por qëndrimi i socialistëve për seancat e ardhshme pritet të jetë një vendim i marrë veçmas për çdo seancë. Deputetët socialistë që kanë marrë fjalën dje në mbledhje, kanë përcjellë mendimin e bazës socialiste, mendim që kishte nota të theksuara radikale. Në shumicë, qëndrimet e deputetëve ishin për një bojkot të Parlamentit, përderisa seanca e fundit, ajo e votimit të dy nismave të PS, u konsiderua nul për zgjidhjen e krizës. Pas porosisë së Edi Ramës në mbledhjen e kaluar të grupit parlamentar, deputetët socialistë kanë qenë në kontakte të ngushta me zonat e tyre zgjedhore dhe me strukturat socialiste aty. Dje në mbledhje kanë qenë pikërisht qëndrimet e ardhura nga baza socialiste, e cila ka nisur përgatitjet për protestat në të gjithë vendin dhe një protestë të madhe në Tiranë në fund të muajit prill.
Debatet
I vetmi deputet që ka qenë kundër vendosjes së një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin, ishte deputeti Arben Malaj, një nga deputetët e mendimit ndryshe në PS, i cili bashkë me Ben Blushin ishte dje prezent në mbledhje. Malaj ka argumentuar se bojkoti i shërben më shumë maxhorancës sesa opozitës, pasi “bojkoti i PS po e fsheh krizën e maxhorancës dhe po i krijon maxhorancës alibinë e moszgjidhjes së krizës”. Ai ka kujtuar gjithashtu se dhënien fund të bojkotit e ka kërkuar dhe komuniteti ndërkombëtar. Malaj ka argumentuar se skenari i bojkotit të Parlamentit dhe përdorja vetëm e protestave si element demokratik të opozitës sonë, nuk është strategjia që i krijon PS-së avantazhin publik, pa të cilin ajo nuk mund të jetë një forcë e suksesshme politike. Malaj votoi kundër propozimit për të mbajtur me Parlamentin një qëndrim të kushtëzuar, ndërsa vota e tij kundër ka nxitur dhe replika me drejtuesin e grupit, Ruçi, i cili i ka kërkuar të votojë pro vendimit. “Ajo që thashë unë ishte argumentimi i qëndrimit kundër. Po flas për PS që nuk është as imja dhe as jotja. Po flas për Partinë e socialistëve, që kërkojnë t’u justifikojmë dhe përfaqësojmë votën e tyre në Parlament”, i është përgjigjur Malaj drejtuesit të grupit parlamentar. Ndërsa diskutimet e tjera të deputetëve kishin të përbashkët kërkesën për të mos hyrë në Parlament. Deputeti i qarkut të Vlorës, Fatmir Toçi tha se “ata 15% e socialistëve që duan që ne të hyjmë në Kuvend janë nga ata që ose janë në punë ose kanë ndonjë të afërm në punë dhe kanë frikë nga pushteti se mos i heq nga puna”. Ndërsa Ilir Beqja ka shprehur qëndrimin pro bojkotit të Parlamentit. Deputeti Arben Ahmetaj kërkoi që prania e socialiste në Parlament do të kishte kuptim nëse maxhoranca do të bënte një ofertë për zgjidhje të plotë të krizës.

Debatet në grupin e PS

Gramoz Ruçi: Grupi ynë duhet të mbajë një qëndrim të kushtëzuar me Parlamentin dhe duhet të jemi në seancë vetëm për çështjen e transparencës së zgjedhjeve.
Ilir Beqja: Qoftë nga ana procedurale dhe nga ana politike, seanca e fundit ishte një absurditet. Gjykoj se në këto kushte nuk ka ndonjë arsye që të shkojmë në Kuvend sot, ndërkohë që nëse do të shkojmë vetëm për të analizuar dhe denoncuar seancën e kaluar, edhe mund të shkojmë. Nga takimet që kam pasur në qarkun e Shkodrës ditët e fundit, elektorati dhe baza jonë mendon se ne nuk duhet të tërhiqemi nga qëndrimi ynë, të mos tolerojmë dhe të vazhdojmë të bëjmë rezistencë të fortë.
Arben Ahmetaj: Prania jonë në Parlament duhet të kishte kuptim nëse maxhoranca do të bënte një ofertë për zgjidhje të plotë të krizës. Nuk jemi të vetmit që e konsiderojmë seancën e fundit nul, por dhe përfaqësuesit e BE-së dhe KE-së e konsiderojnë atë nul në procesin e zgjidhjes së krizës. Opozita nuk mund të jetë një kontorno politike për deformimet që maxhoranca i ka bërë demokracisë në Shqipëri.
Arben Malaj: Bojkoti i PS po e fsheh krizën e maxhorancës dhe po i krijon maxhorancës alibinë e moszgjidhjes së krizës. Mos bojkoti i Parlamentit është jo vetëm mesazh i drejtpërdrejtë i ndërkombëtarëve. Skenari i bojkotit të Parlamentit dhe përdorja vetëm e protestave si element demokratik të opozitës sonë, nuk është strategjia që na krijon avantazhin publik, pa të cilin ne nuk mund të jemi një forcë e suksesshme politike.
Eduard Shalësi: Nga kontaktet e vazhdueshme që kam pasur me elektoratin e njësisë 9 dhe 8, kam dalë në konkluzionin mbi bazën e disa statistikave, ku 85% që unë kam kontaktuar duan që ne të jemi në protestë dhe jashtë Parlamentit, dhe 50% duan që ne të jemi edhe në Parlament edhe në protesta. Madje ka nga ata që thonë shkoni vetëm për një orë debat në Parlament, por jo për t’u bërë pjesë e atij Parlamenti.
Taulant Balla: Për aq kohë që u shkel rregullorja, ne duhet sot të bëjmë autopsinë e seancës së kaluar, që vdiq më 18 mars. PS është në epërsi përsa i takon dhe opinionit ndërkombëtar për kauzën e saj, pasi PS e bëri pjesën e vet për të ndërprerë bojkotin, ndërsa PD nuk bëri asnjë përpjekje për të pranuar nismat e PS, që do të lejonin hetimin e plotë të zgjedhjeve, siç thuhet dhe në deklaratat e ndërkombëtarëve.
Ermelinda Meksi: Pjesëmarrja në këtë seancë midis të tjerash duhet për të denoncuar kompromisin e munguar, si pasojë e mungesës së vullnetit të PD-së ndaj çdo kërkese të opozitës që solli mbylljen skandaloze të seancës së fundit, kur zonja Topalli nuk denjoi të jepte as pushimin e kërkuar nga kryetari i grupit të PS-së, zoti Ruçi. Ngritja e atij komisioni grotesk hetimor i hoqi maskën kësaj maxhorance, që me këtë akt u diskreditua botërisht.
Damian Gjiknuri: Mendoj se nuk duhet që këtu thjesht të bëjmë fotografimin e mendimit të bazës, pasi po të flasësh me anëtarësinë, pjesa dërrmuese e tyre janë për qëndrim radikal. Gjërat duhet të eskalohen natyrshëm, pasi që kjo kauzë të fitojë terren dhe mbështetje ndërkombëtare kërkon shterimin e rrugës parlamentare, përpara se të kalohet në veprime më të forta, pasi ja e bëre edhe një miting të madh dhe Qeveria nuk iku, çfarë do bëjmë pas tij, prandaj protesta duhet të jetë e kombinuar me veprimin parlamentar dhe për kauzën e hetimit, deri sa gjërat të përshkallëzohen me kohë. Besoj se në këtë mbledhje nuk duhet të bëjmë as skifterin, as pëllumbin, por të diskutojmë për rrugën më të mirë për një kauzë të drejtë, prandaj unë e mbështes vendimin për vazhdimin e marrëdhënies së kushtëzuar me kuvendin si rruga e vetme dhe e duhur.
Fatmir Toçi: Ata 15% e socialistëve që duan që ne të hyjmë në Kuvend janë nga ata që ose janë në punë ose kanë ndonjë të afërm në punë dhe kanë frikë nga pushteti se mos i heq nga puna.
Arben Malaj i vetmi deputet që voton kundër hyrjes me kusht në Kuvend
Ruçi-Malajt: Pse voton kundër?
Malaj: Ajo që thashë unë ishte argumentimi i qëndrimit kundër. Po flas për PS që nuk është as imja dhe as jotja. Po flas për Partinë e socialistëve që kërkojnë të justifikojmë votën e tyre në Parlament.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›