Vlorë, kryetari, kaos në Këshillin Bashkiak
VLORE/FIER - Këshilli Bashkiak i Vlorës sërish në kolaps. Pas vendimit të Gjykatës së Apelit për kreun e këshillit, që legjitimonte Kujtim Sulçen e PS-së në vend të Arben Sinanit të LSI-së, edhe seanca e djeshme në këtë këshill ka pasur probleme. Në rendin e ditës ishin 7 projekte, ndër të cilat edhe kreditë e buta për të pastrehët. Duke motivuar mungesë legjitimiteti të kryetarit Sulçe dhe mosplotësim të afatit që vendimi i gjykatës të marrë formë të prerë, këshilltarët e djathtë janë larguar nga mbledhja. Ata kanë kërkuar 48 orë që të njihen me vendimin e Apelit, nga ku më pas do të vendosin nëse do ta kalojnë çështjen në Gjykatën e Lartë. Nga ana tjetër, të majtët kanë vijuar mbledhjen duke miratuar 6 nga 7 projektvendimet e parashikuara në rend të ditës. Ndërsa vendimi për 75 kreditë e buta për të pastrehët nuk kaloi. Edhe në Fier dështoi dje tentativa e kreut të Bashkisë, për të fituar konsensusin politik për miratimin e buxhetit. Kreu i PD-së dhe i grupit të këshilltarëve të djathtë kërkoi ndryshime në buxhet, duke nisur që nga struktura e administratës e cila duhej shkurtuar. Pas kësaj të majtët braktisën sallën, por mazhoranca (PD-LSI) pasi votuan ndryshimet në buxhet, e më pas buxhetin me të gjitha ndryshimet e bëra. q.b/m.r