I penduari mbyll dëshminë me 7 vrasje
Armand Bajrami
I penduari i "Bandës së Durrësit", Adriatik Coli, përfundoi dje dëshminë e tij kundër anëtarëve të organizatës kriminale në gjyqin që po zhvillohet në Gjykatën për Krimet e Rënda. Në seancën e djeshme, palët i drejtuan pyetjet e fundit personit që, për më se 5 muaj rrëfeu mbi episode kriminale për të cilat akuzohen të pandehurit e kësaj organizate. Me statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Adriatik Coli e ka përmbyllur dëshminë e tij me përgjigjet ndaj avokatëve në seancën e djeshme. Burime brenda seancës sqaruan se Adriatik Coli përmendi emrin e një biznesmeni që shoqërohej me të akuzuarit si anëtarë të "bandës", që sipas akuzës drejtohen nga Lulzim Berisha. "Biznesmeni T.K. shoqërohej me Endrit Doklen. Edhe ai kishte konflikte me Lul Berishën", mësohet të jetë shprehur Coli gjatë seancës. Po dje "i penduari" i është përgjigjur pyetjes së njërit prej mbrojtësve në proces, mbi njohjen që ai kishte me zv.drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. "Nuk e kam njohur para se të arrestohesha. E kam takuar atë disa herë, vetëm për çështje pune, për shkak se ai ishte drejtues i grupit të hetimit", është përgjigjur Coli.
RRëFIMI I COLIT
I penduari i drejtësisë, Adriatik Coli "theu heshtjen" në procesin në ngarkim të personave të akuzuar si anëtarë të "Bandës së Durrësit". Dëshmitë e tij të para u morën në vitin 2007 nga Prokuroria, pas kapjes së shumicës së anëtarëve të bandës, ndërkohë që paraqitja e tyre në gjykatë filloi më 28 shtator të vitit 2009, pas dhjetëra seancash të dështuara. Me nisjen e dëshmisë së Colit, Gjykata për Krimet e Rënda nxori nga "ngërçi" që kishte kapluar këtë gjykim që prej fillimit të tij, në qershor të vitit 2007. I penduari Adriatik Coli tregoi para togave të zeza të Krimeve të Rënda aktivitetin kriminal të së quajturës "Banda e Durrësit". Në dhjetëra seanca me orar të zgjatur, Coli solli në mënyrë kronologjike momentet e krijimit të "bandës së Durrësit", ndarjen e saj më vonë në dy "kampe" dhe deri kur në vitin 2005 vendosi të bashkëpunonte me drejtësinë. I penduari "serviri" për togat e zeza historitë kriminale të ekzekutimeve, mes të cilave ato të Dritan Sallakut, Viron Currit, Arjan Pajës, Dritan Dishës, Edi Ongarit, Marsel Sotirit apo Klodi Saliut. Për këto ngjarje, Prokuroria akuzon të pandehurit në proces, ngjarje në të cilat edhe Coli ka marrë pjesë. Nuk ishin të pakta rastet kur Coli surprizoi me thëniet e tij gjatë dëshmisë duke përmendur emra personash publikë që nuk ishin në proces. Dëshmitë e tij janë kundërshtuar dhe hedhur poshtë nga të pandehurit e tjerë të bandës. Përmendja e emrave të personave publikë të skenës politike të vendit, por edhe të botës së Krimit në Shqipëri shndërroi shpesh seancat në arenë replikash të ashpra mes palëve në proces. Në disa raste "nxehja" e tepërt e situatave ka çuar deri në ndërprerje të seancave. Organi i akuzës ka pohuar se gjatë gjithë dëshmisë së tij në gjyq, i penduari njëherësh i pandehur, Adriatik Coli i është përmbajtur deklarimeve të dhëna në hetimet paraprake.
Pas Colit, pritet të pyeten 100 dëshmitarë
TIRANE - Mbyllja e dëshmisë së Adriatik Colit i "hapi rrugë" paraqitjes së dëshmitarëve të tjerë në proces. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, totali i dëshmitarëve që priten të thirren është më tepër se 100 vetë. Ata janë persona që, sipas Prokurorisë, kanë dijeni mbi episode kriminale të "Bandës së Durrësit". Përveç dëshmitarit Coli, në proces do të thirret edhe një tjetër dëshmitare e mbrojtur nga shteti. Bëhet fjalë për V.J., një vajzë e cila për një vit e gjashtë muaj është mbajtur peng nga disa prej të akuzuarve si anëtarë të "bandës", për shkak se kishte dijeni mbi një vrasje. Dëshmia e vajzës ndodhet aktualisht në fashikullin e gjykimit. Burime pranë organit të akuzës bëjnë të ditur se ajo është një ndër provat më të forta të Prokurorisë, për të vërtetuar akuzat ndaj të pandehurave. "Pas arrestimit të Klodian Saliut, nga të dyshuarit e tjerë si anëtarë të bandës është mbajtur peng për një periudhë rreth 18 muaj shtetasja V.J., me qëllim që të shmangej dëshmia e saj para organeve kompetente dhe si rrjedhim, për t'iu shmangur dënimit shtetasi Klodian Saliu", thuhej në kërkesën për gjykim. Që prej fillimit të dëshmisë së të penduarit, Gjykata pati mbyllur dyert për publikun. Vendimi për dyer të mbyllura pritet të revokohet nga gjykata në seancën e radhës. a.b