Ekzekutohet pronari i magazinës
KORçE/ GEZIM ASHIMI
Vritet pronari i magazinës së ndërtimit, teksa ruante natën mallin brenda saj. Nexhat Gega, 73 vjeç, nga fshati Pojan i Korçës, u gjet i vrarë mëngjesin e djeshëm brenda objektit. Sipas policisë, djali i 73-vjeçarit, Gëzim Gega ka konstatuar i pari vdekjen e të atit, kur shkoi të hapte në mëngjes magazinën. Pasi ka gjetur trupin e pajetë dhe të gjakosur të të atit, ai sinjalizoi menjëherë policinë. Mësohet se viktima që kishte në pronësi magazinën e mallrave të ndërtimit, qëndronte gjatë natës edhe si roje në të. Nga hetimet e deritanishme rezultoi se natën midis të mërkurës dhe të enjtes, persona ende të paidentifikuar janë futur për të vjedhur materialet e ndërtimit, por pa e ditur se brenda saj kishte një person si roje. Ata janë futur duke thyer dritaren. Por zhurma ka bërë që roja të ngrihet dhe të përballet me grabitësit, të cilët dyshohet të kenë qenë të paktën dy persona. Sipas policisë, versioni më i mundshëm i vrasjes së pronarit që shërbente edhe si roje, ka ardhur sepse autorët mund të jenë njohur prej tij. Burimet pranë mjekësisë ligjore bënë të ditur se viktima kishte në trup dy plumba, si dhe plagë të shkaktuara nga goditje me mjete të forta. Dyshohet se i moshuari fillimisht është përleshur me grabitësit, në përpjekje për t'i ndaluar ata. Por dy plumbat si dhe mjetet e forta me të cilat është qëlluar 73-vjeçari i kanë shkaktuar atij vdekjen. Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja plumbash, me të cilët është qëlluar dy herë viktima, por edhe të zbrazura në ajër për të mundësuar largimin pa u ndjekur. Mësohet se natën e krimit, në fshatin Pojan janë dëgjuar krisma të shumta armësh që kanë terrorizuar banorët. Por, deri në mëngjes kur është gjetur i vrarë 73-vjeçari nuk është kuptuar se ka ndodhur një vrasje. Banorët janë shprehur për grupin e hetimit se kishin dëgjuar krisma, por kishin menduar se ishin të shtëna rutinë. Policia e Korçës bëri të ditur se është vënë në lëvizje me forca të shumta për të zbuluar autorët e kësaj vrasjeje. Dyshohet se ata të jenë banorë të fshatit ose persona që janë njohur nga viktima.