Gazetari i Fiksit shantazh doganierit me anë të filmimit për 2 mijë euro
GJIROKASTER - I bëjnë shantazh doganierit për para, arrestohen dy persona të dyshuar, në kërkim gazetari i Fiksit. Sipas policisë, ata janë denoncuar nga ana e punonjësit të doganës së Kakavijës, se i kanë kërkuar para kundrejt presionit se do të publikonin një material filmik komprometues. Bashkim Dushi, 60 vjeç dhe Julian Gjinaj, 31 vjeç, të dy nga qyteti i Shkodrës, janë prangosur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi Ervin Dushi, gazetar pranë emisionit "Fiks Fare". Burimet policore zyrtare kanë bërë të ditur për gazetën "Panorama" se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet presionit dyshohet se, i kanë kërkuar një punonjësi doganor në Pikën Doganore të Kakavijës që të paguajë një shumë prej 2000 eurosh në këmbim të mospublikimit të një materiali filmik kompromentues. Ky material, i cili pretendohet nga ana e të arrestuarve se ekziston, rezulton të jetë xhiruar gjatë një momenti kur një tregtar i pati dhënë ryshfet doganierit, në këmbim të kalimit pa dokumente të disa mallrave. Vetë doganieri të cilit po "i binin në qafë" shkodranët pati incizuar me celularin e tij personal, të gjithë dialogun mes tij dhe personit të shpallur në kërkim nga policia e Gjirokastrës, Dushi. Ky i fundit i bënte shantazh punonjësit doganor që t'i jepte gati 2000 euro, pasi në të kundërt do t'i publikonte një filmim kompromentues në emisionin investigativ televiziv. Vetë doganieri i dha një sasi prej 1500 euro duke marrë garancinë e mospublikimit. Mirëpo duket se doganieri u tregua më i zgjuar dhe arriti që të fusë në kurth vetë shantazhuesit duke vënë në lëvizje instrumentet e Policisë së Gjirokastrës dhe të Task-Forcës. Në momentin e arrestimit të të atit të gazetarit, Bashkim Dushi dhe Julian Gjinajt, këtij të fundit iu gjet dhe shuma prej 1500 eurosh të cilat i ishin marrë doganierit. Një javë më parë, në apartamentin e gazetarit Ervin Dushi, në Shkodër u gjet një sasi prej 100 gramësh tritol, e pashpërthyer. Ndonëse në banesë nuk ndodhej njeri, vetë Dushi u shpreh se bëhej fjalë për një presion ndaj detyrës që ai mbante. Policia e Shkodrës nuk ka asnjë person të ndaluar për këtë çështje. p.n