Basha: Ambasadat nuk janë më zyra të korruptuara
Ministri i Jashtëm, Luzlim Basha, deklaroi ditën e djeshme nga foltorja e Kuvendit se ambasadat e shtetit shqiptar tashmë janë përfaqësi diplomatike të rregullta dhe jo zyra të korruptuara. Në seancën e djeshme, deputeti socialist Vangjel Tavo deklaroi se ambasadat shqiptare janë të korruptuara dhe shërbejnë vetëm për të zhvatur qytetarët shqiptarë. Ministri Basha ka reaguar menjëherë. Sipas tij, të dhënat e deputetit Tavo janë të vitit 2005, kur ambasadat ishin të mbushura me emisarë politikë të Tiranës dhe merrnin zarfe poshtë tavolinave. Tani sipas Bashës, ambasadat shërbejnë me kohë të plotë dhe me personel të kualifikuar diplomatik. “Deri në vitin 2005 kjo ambasadë ka qenë e mbushur me emisarë ekonomike të pushtetarëve në Tiranë, kurse sot ajo funksionon si një përfaqësi diplomatike”, - tha Basha në Kuvend. Ndërkohë dje Ministria e Jashtme njoftoi se Republika e Shqipërisë ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 30 vende të Afrikës dhe Oqeanisë që përbëjnë në total rreth një të gjashtën e vendeve anëtare të OKB-së. Ministria e Jashtme ka pasur në synimet e saj lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me këto vende edhe në kuadër të interesave strategjike të shtetit shqiptar. Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e radhës lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me këto vende. Vendet për të cilat bëhet fjalë janë në kontinentin afrikan dhe në atë aziatik. Ministria e Jashtme ka vlerësuar më tej se është në interes të vendit lidhja diplomatike me këto vende të konsideruar si aktorë gjeopolitikë të vegjël. Këto vende janë njëkohësisht edhe anëtarë të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare rajonale si Organizata e Shteteve Amerikane (OAS), Bashkësia e Vendeve të Karaibeve (CARICOM), Unioni Afrikan apo Organizata e Konferencës Islamike, dhe, si të tillë kanë një zë të veçantë. Ministria e Jashtme do të lobojë që këto të njohin Kosovën si një shtet të pavarur.