Berisha-WAZ, Shqipëria, treg mediatik në tërë diasporën
Shqipëria përfaqëson një treg mediatik më të gjera sesa kufijtë e saj, duke përfshirë këtu shqiptarët në Kosovë, Maqedoni e Mal të zi si dhe diasporën shqiptare kudo në botë. Këtë ia bëri dje të ditur Kryeministri Sali Berisha drejtuesit të kompanisë prestigjioze në fushën e medias gjermane WAZ. Përfaqësuesit e kompanisë gjermane falënderuan Kryeministrin Berisha për pritjen dhe shprehën kënaqësinë e tyre për hyrjen e kësaj kompanie prestigjioze e cila është prezente në shumë vende të Evropës, në tregun mediatik shqiptar. Ata shprehën angazhimin e tyre për një bashkëpunim në rritjen e cilësisë dhe profesionalizimit të tregut mediatik shqiptar duke vlerësuar arritjet e vendit tonë në zhvillimin ekonomik dhe atë social. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e tij për prezencën e një kompanie prestigjioze gjermane në vendin tonë, lajm ky mjaft i mirë, veçanërisht në fushën mediatike, që përbën një sektor mjaft të rëndësishëm në një shoqëri të lirë. Në këtë drejtim biznesmenët gjermanë u shprehën entuziastë për një treg në zhvillim që ka nevojë për gazetari profesionale dhe një biznes serioz në këtë fushë. Përfaqësuesit e kompanisë gjermane shprehën interesin e tyre për zhvillimet ekonomike në Shqipëri, si dhe për mundësitë për të investuar në vendin tonë. Kryeministri Berisha i njohu bashkëbiseduesit me një sërë reformash të ndërmarra në të gjitha fushat me qëllim përmbushjen e dy projekteve madhore për kombin shqiptar, atë të integrimit të plotë në NATO dhe në BE. Kryeministri theksoi se në sajë të masave të ndërmarra për përmirësimin e klimës së biznesit, tashmë Shqipëria është një vend tërheqës për investimet e huaja, me potenciale të pafundme natyrore për t’u shfrytëzuar.