E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë-Shqipëri, vendosen kontaktet në fushën e drejtësisë

Tirana zyrtare vlerëson konsolidimin e institucioneve të Kosovës dhe premton gjithë mbështetjen e saj për përfarimin e standardeve mes dy vendeve. Delegacioni i nivelit të lartë nga Kosova, të kryesuar nga ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi dhe ministri i Shërbimit Publik, Arsim Bajrami, u prit dje nga drejtuesit kryesor të shtetit, Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, ministri i Drejtësisë Enkeljed Alibeaj etj. Presidenti Topi shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij për të ndarë përvojën dhe për të mbështetur Kosovën në ngritjen e shtetit ligjor dhe rrugëtimin e saj integrues drejt strukturave euro-atlantike. Presidenti Topi vuri në dukje rëndësinë e forcimit të institucioneve, sidomos atyre të drejtësisë, ku një rol të madh luan edhe shkëmbimi dhe marrja e përvojës nga vendi ynë për sa i përket sistemit gjyqësor, Ministrisë së Drejtësisë, Gjykatës Kushtetuese, etj. Edhe Kryeministri Sali Berisha priti dje dy ministrat e qeverisë së Republikës së Kosovës, ministren e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi dhe ministrin e Shërbimeve Publike, Arsim Bajraktari. Berisha vlerësoi "përparimet e dukshme të Kosovës dhe shtetit të ri të saj në shumë fusha zhvillimi, veçanërisht në legjislacion". Ai shprehu bindjen se të dyja qeveritë do të kenë një bashkëpunim dhe një bashkërendim të frytshëm në reformimin, standardizimin dhe modernizimin e institucioneve. Berisha theksoi se në përgjithësi ligjet në Kosovë janë të standardeve shumë të mira, ndërsa u ndal në punën që po bëhet në Shqipëri për zëvendësimin apo përmirësimin e mjaft ligjeve, duke theksuar këtu se reforma e sistemit të drejtësisë po zhvillohet dhe se ajo do të ketë ecuri në një bashkëpunim të ngushtë me opozitën. Ministrat e qeverisë së Kosovës, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e qeverisë dhe të klasës politike shqiptare në proceset zhvilluese dhe të modernizimit në Kosovë, u angazhuan për një bashkëpunim dhe bashkërendim të punës së tyre me homologë shqiptarë, në ndarjen e vlerave të përbashkëta në të gjitha fushat. Po dje, ministrja e Drejtësisë së Kosovës, zhvilloi një takim me ministrin e Drejtësisë së Shqipërisë, z. Enkelejd Alibeaj. Gjatë takimit mes homologësh, u fol për bashkëpunim mes dy institucioneve. Një nga fushat ku u përqendrua biseda mes tyre, ishte huazimi i përvojave në fushën e gjyqësisë kushtetuese dhe familjarizimit me kuadrin normativ relevant për institucionin e Gjykatës Kushtetuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›