Ndryshimi i Kushtetutës, tani e tutje një mision i vështirë
Këshilli i Rregullores në Kuvend ka pasur një surprizë nga deputetët e majtë lidhur me ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Deputetët e majtë kanë paraqitur disa ndryshime shtesë për në Rregulloren e Kuvendit, gjë që ka gjetur të papërgatitur deputetët e djathtë. Pesë deputetë të majtë kanë propozuar një amendim për sa i përket mënyrës dhe ndërhyrjes për të ndryshuar Kushtetutën e vendit në të ardhmen. Ndryshimi i Kushtetutës pak muaj më parë, për herë të parë pas 10 viteve kur ishte miratuar Kushtetuta, ka mjaftuar si precedent që deputetët e majtë të kërkojnë një procedurë më komplekse për ndryshimin e Kushtetutës në të ardhmen në rast se do të ketë një mision të tillë politik. Deputetët e majtë kanë kërkuar konkretisht që në Rregulloren e Kuvendit të specifikohet mënyra që ndiqet në rast se kërkohen ndryshime kushtetuese. Ata kanë kërkuar specifikisht që çdo kërkesë që vjen për ndryshim të Kushtetutës, duhet të ngrihet një komision i posaçëm parlamentar që të analizojë me hollësi ndryshimin e kërkuara. Komisioni i posaçëm, sipas të majtëve, duhet të shoqërohet edhe nga ekspertë të pavarur, ekspertët ligjorë të Kuvendit si dhe të bëjë seanca dëgjimore me grupet e interesit apo me deputetët propozues për ndryshime kushtetuese. Ky propozim i të majtëve ka gjetur të surprizuar deputetët e djathtë të cilët kanë kërkuar nga të majtë konkretizimin e kësaj nisme në tri nene për ta integruar në Rregulloren e Kuvendit. Deputeti i PD-së, Safet Sula, anëtar i Këshillit të Rregullores, u shpreh për “standard” se ditën e sotme pritet që kjo nismë e të majtëve të shqyrtohet në Këshillin e Rregullores dhe pastaj të miratohet. Deputetët e djathtë duket se nuk kanë pasur ndonjë kundërshtim në parim në lidhje me këtë nismë. “Ditën e sotme do të dëgjojmë edhe idetë konkrete për sa i përket mënyrës së procedimit për ndryshimin e Kushtetutës në të ardhmen”, - tha Sula. Pavarësisht kësaj surprize të deputetëve të majtë, të dyja palët kanë rënë dakord për pjesën tjetër të Rregullores së Kuvendit. Ata kanë qenë në një mendim që Kuvendi nuk do të kërkojë informacione nga institucionet e tjera për emrat e dekretuar nga Presidenti i vendit për çfarëdolloj titullari. Deputetët e të dyja palëve kanë rënë dakord që në Komisionin e Ligjeve të bëhen seanca dëgjimore me kandidatët e dekretuar nga Presidenti i vendit për t’u pyetur nga afër për meritat e tyre profesionale dhe për integritetin si person. Këshilli i Rregullores së Kuvendit ka vendosur dje në mënyrë unanime që Rregullorja e Kuvendit të ketë një ndryshim rrënjësor, duke integruar ndryshimet kushtetuese të pak muajve më parë. Kuvendi miratoi ndryshimet kushtetuese për sa i përket mënyrës së zgjedhjes së Presidentit të Republikës si dhe mënyrës së procedimit me mocionet e besimit dhe mosbesimit ndaj Kryeministrit dhe këto ndryshime do të reflektohen në Rregulloren e Kuvendit.