E Diel, 1 Nëntor 2026

Projekti i PD-së: Ish-spiunët përjashtohen nga çdo hallkë e shoqërisë

Shoqërisë shqiptare i krijohet mundësia për t’u shkëputur një herë e mirë nga pjesa e errët e historisë së saj dhe ndarja nga e kaluara tejet e hidhur e diktaturës komuniste. Kjo do të mundësohet përmes ligjit më të ri të hapjes së dosjeve të ish-sigurimsave të shtetit. Nëpërmjet miratimit dhe zbatimit të këtij ligji, arrihet zbardhja dhe qartësimi i asaj që ka ndodhur në të vërtetë në kohën famëkeqe të ish-Sigurimit të Shtetit. Drafti specifikon qartë kategoritë që do të përfshihen nga procesi i pastrimit siç është politika shqiptare, administrata publike, sistemi i drejtësisë dhe diplomacisë, sistemi arsimor dhe media, si dhe të sektorëve të tjerë publikë. Deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, i cili ka marrë autorizimin e kryeministrit Sali Berisha në prani të grupit parlamentar të PD-së, për përgatitjen e draftit të ri, depozitoi dje në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin "Për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve". Sipas tij, nëpërmjet këtij projektligji synohet pastrimi i politikës shqiptare dhe administratës publike nga personat, të cilët, me veprimtarinë e tyre për ish-Sigurimin e Shtetit kanë sjellë shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Z. Biberaj nënvizoi se hapja e dosjeve të spiunëve është një detyrim politik dhe moral i klasës politike shqiptare, jo vetëm ndaj shoqërisë shqiptare, por edhe ndaj historisë. Projektligji konsiderohet dhe si një detyrim moral ndaj shtresës së ish-të persekutuarve politikë, të cilët vuajtën për dekada me radhë tmerrin e diktaturës më të egër komuniste nga ish-blloku komunist. Deputeti Biberaj shpjegoi se si pasojë e aktivitetit të këtyre individëve në shërbim dhe të lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit, shumë qytetarë shqiptarë të pafajshëm u burgosën u internuan (ku një pjesë e madhe edhe vdiqën në kampet e internimit), sikurse një pjesë tjetër u vranë me apo pa gjyq, për motive te mirëfillta politike. Sipas tij, hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe të bashkëpunëtorëve të tij, është një detyrim politik dhe moral i klasës politike shqiptare, jo vetëm ndaj shoqërisë shqiptare, por edhe ndaj historisë së vendit tonë. Gjithashtu, miratimi i këtij ligji është një detyrim moral ndaj shtresës së ish-të persekutuarve politikë, të cilët vuajtën për dekada me radhë tmerrin e diktaturës më të egër komuniste nga ish-blloku komunist. Nga zbatimi i ligjit hidhet dritë mbi atë çfarë ka ndodhur në të vërtetë në kohën famëkeqe të ish-Sigurimit të Shtetit. Miratimi dhe zbatimi i këtij ligji i çliron edhe vetë individët që kanë bashkëpunuar me ish-Sigurimin e Shtetit nga makthi i së kaluarës së tyre.

Pjesë nga projekti i Biberajt

Subjektet e verifikimit:

(Varianti I)

Hapen të gjitha arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit dhe bëhen publike, me përjashtim të atyre që trajtojnë çështje të sigurisë kombëtare.

(Varianti II)

Hapen të gjitha arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit, por nuk bëhen publike.

Çdo qytetar i interesuar mund të marrë informacion për veten e vet ose familjen e tij, pranë Autoritetit të Kontrollit të Figurave.

(Varianti III)

Subjekti i verifikimit sipas këtij ligji, janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme:

a) Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe të dekretuarit nga Presidenti i Republikës;

b) Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe të zgjedhurit nga Kuvendi;

c) Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore;

d) Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive;

e) Funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas rangjeve të caktuara në pikën c;

f) Guvernatorë, zëvendësguvernatorë dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë;

g) Funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”;

h) Prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave;

i) Anëtarët e këshillave të qarkut, si dhe të këshillave bashkiake;

j) Funksionarë në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe në Shërbimin Informativ të Rendit (SHIR);

k) Funksionarë në Gardën e Republikës;

l) Drejtues të Policisë së Shtetit, drejtorë dhe shefa policie në nivel qarku, si dhe në nivel komisariati;

m) Diplomatët në përfaqësitë tona diplomatike;

n) Drejtuesit dhe anëtarët e forumeve drejtuese në nivel qendror apo lokalë të partive politike parlamentare, si dhe të atyre që financohen nga buxheti i shtetit;

o) Drejtues, kryeredaktorë dhe redaktorë të mediave audio-vizive, si dhe të mediave të shkruara me një tirazh ditor më të madh se 2000 kopje në ditë;

p) Akademikë, rektorë / zv.rektorë, dekanë të universiteteve shtetërore si dhe drejtorët e shkollave të mesme publike.

q) Përfaqësuesit e lartë të komuniteteve fetare me nënshtetësi shqiptare.

Papajtueshmëria e funksioneve

Pastërtia e figurës morale të funksionarit, të përcaktuar në nenin 3 të këtij ligji, është e papajtueshme, me mbajtjen prej tij, gjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri më 31 mars 1991 të një prej detyrave të mëposhtme:

a) Anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar ose kandidat i Komitetit Qendror të PPSH-së, sekretar i parë ose i dytë i komitetit të partisë së rrethit, kryetar ose zv.kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit, me përjashtim të rasteve kur është larguar vetë nga detyra në mënyrë publike;

b) Anëtar qeverie, anëtar i Këshillit Presidencial, kryetar dhe anëtar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm dhe zëvendës të tij, para zgjedhjeve të 31 marsit 1991;

c) Zv.ministër i Punëve të Brendshme, oficer madhor apo funksionar drejtues i organeve të Sigurimit të Shtetit, si dhe kryetar dege; punonjës operativ (legal apo ilegal), bashkëpunëtor sekret të organeve të Sigurimit të Shtetit;

d) Bashkëpunëtor, si dhe agjent në shërbim të shërbimeve të huaja apo të organeve analoge;

e) I dënuar me vendim të formës së prerë, për krimet kundër njerëzimit, për shpifje apo dëshmi të rremë në procese politike speciale;

f) Anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve;

g) Hetues në organet e Sigurimit të Shtetit, si dhe prokuror, gjyqtar apo ndihmësgjyqtarë në procese politike speciale;

h) Denoncues apo dëshmitar rëndues në proceset politike.

Statusi dhe përbërja e autoritetit

Për zbatimin e këtij ligji, krijohet Autoriteti i Kontrollit të Figurave, autoritet i cili organizohet dhe funksionon si autoritet i pavarur.

Autoriteti është organ i përhershëm mbikëqyrje dhe kontrolli i pastërtisë së figurave të funksionarëve. Autoriteti përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët propozohen si vijon:

a) Presidenti i Republikës;

b) Këshilli i Ministrave;

c) Drejtori i Përgjithshëm i SHISH;

d) Grupi parlamentar më i madh i mazhorancës;

e) Grupi parlamentar më i madh i opozitës.

Anëtarët e autoriteti miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë.

(Varianti I)

Përfaqësuesi i Presidentit zgjidhet kryetar, ndërsa ai i Këshillit të Ministrave nënkryetar.

(Varianti II)

Kryetar zgjidhet i propozuari që merr me shumë vota në Kuvend, ndërsa nënkryetar i dyti sipas votave.

Pasojat e vendimit

Eprori i institucionit apo organi i emërtesës se tij, menjëherë, pas marrjes së vendimit të komisionit:

Kur zyrtari është i pa përfshirë, depoziton një kopje të vendimit në dosjen individuale të personelit;

Kur zyrtari është i përfshirë, depoziton një kopje të vendimit në dosjen individuale të personelit, dhe cakton brenda 3 ditësh, një seancë të mbyllur për t’u informuar, për qëndrimin që do të ndjekë zyrtari në vijim. Gjatë zhvillimit të kësaj seance mbahet procesverbali, i cili firmoset nga të gjithë të pranishmit dhe zyrtari dhe një kopje e tij i dorëzohet në përfundim të seancës edhe zyrtarit. Eprori direkt në përfundim të këtij takimi, ndjek këtë procedure:

Kur funksionari deklaron/ose depoziton dorëheqjen e menjëhershme nga detyra, eprori, arkivon kopjen e vendimit të komisionit si dokument të klasifikuar;

Kur funksionari deklaron se refuzon dorëheqjen vullnetare, eprori i institucionit arkivon kopjen e vendimit të komisionit, dhe brenda 10 ditësh përfundon marrëdhëniet e punës me zyrtarin, për shkak të padenjësisë së figurës së tij.

Kur zyrtari apo funksionari bën ankim gjyqësor sipas nenit 16 të këtij ligji, eprori i institucionit apo i organit i emërtesës sipas rastit, pezullon nisjen e procedurës në shkronjës “b” të këtij neni, deri në botimin e diapozitivit të vendimit të formës së prerë në “Fletoren Zyrtare”.

Transparenca me publikun

Autoriteti i Kontrollit të Figurave do të publikojë në faqen e vet zyrtare informacion për numrin dhe identitetin e personave të verifikuar sipas këtij ligji dhe pozicionet përkatëse që ata kryejnë apo kryenin.

Gjithashtu, komisioni bën publike në këtë direktori, identitetin e të gjithë zyrtarëve të kualifikuar, si të papajtueshëm për të vazhduar detyrën, për të cilët eprori i institucionit apo organi i emërtesës, nuk ka përfunduar marrëdhënien e punës brenda afatit 10-ditor të caktuar sipas nenit 17, pika 1 shkronja c.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›