Basha: Aplikim në BE brenda qershorit
adi shkembi
Shqipëria do të aplikojë brenda presidencës çeke për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Këtë e bëri të ditur dje ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, në përfundim të një takimi me Komisionerin për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Olli Rehn. “Shqipëria nuk demonstron ngërç, as stanjacion, as nervozitet për të përshpejtuar në mënyrë të panatyrshme një proces, baza e të cilit është suksesi i reformave. Qeveria shqiptare, kryeministri shqiptar e kanë bërë të qartë pozicionin e tyre. Ne e shikojmë gjashtëmujorin e presidencës çeke si një periudhë jashtëzakonisht të favorshme për të hedhur hapin tjetër në drejtim të integrimit të mëtejshëm të vendit”, tha Lulëzim Basha në një prononcim për mediat në përfundim të takimit me zyrtarin e lartë të Komisionit Evropian. Në një njoftim të Ministrisë së Jashtme lidhur me këtë takim, Basha informoi Komisionerin Rehn mbi ecurinë e reformave në Shqipëri, mbi zhvillimet ekonomike, për përgatitjet e zgjedhjeve të 28 qershorit, si dhe vullnetin e qeverisë shqiptare për të thelluar reformat në çdo fushë. Ministri Basha dhe Komisioneri Rehn diskutuan gjerësisht rreth procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe hapave të mëtejshëm në këtë drejtim, në kuadër edhe të koordinimit të veprimeve mes vendit tonë dhe vendeve anëtare dhe Komisionit Evropian. “Bashkëbiseduesit u ndalën gjithashtu te procesi i liberalizimit të vizave me ç’rast, ministri Basha informoi Komisionerin Rehn mbi ecurinë e procesit të prodhimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Jashtme.
Rehn
Ndërkohë, në një konferencë për shtyp në përfundim të takimit, zëdhënësja e Komisionerit Rehn, Kristina Nagy tha se, Tirana zyrtare duhet të paraqesë rezultate konkrete si përsa i përket detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i MSA-së, ashtu edhe zhvillimi i zgjedhjeve të 28 qershorit sipas standardeve evropiane. “Për Shqipërinë si për të gjitha vendet e tjera nevojiten dëshmi konkrete dhe të kënaqshme në zbatimin e detyrimeve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, përfshirë masat tregtare të saj, si element thelbësor për konsiderimin e ndonjë aplikimi të mundshëm. Së fundmi, garantimi dhe zhvillimi i duhur i zgjedhjeve parlamentare të këtij viti në përputhje me standardet ndërkombëtare është një kusht kyç për përparimin e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën drejt BE-së”, tha Nagy. Ndërkohë sot në mesditë pritet që ministri Basha do të zhvillojë takimin vjetor me trojkën e BE-së.