Dosjet, BE: Mbështesim Kushtetuesen
Bashkimi Evropian mbështet vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e Lustracionit. Gjatë takimit me Komisionerin evropian për Zgjerimin, Olli Rehn, ministri i Jashtëm shqiptar shprehu vullnetin e qeverisë se do të respektohet shteti ligjor. Ministri i Jashtëm, Basha, ka mohuar faktin që në takim të jetë folur për temën e nxehtë të kohëve të fundit, ligjin e Lustracionit. Për këtë çështje zëdhënësja e Komisionerit, Nagy, deklaroi se Rehn ka shprehur qëndrimin e BE-së dhe se ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ndërprerjen e zbatimit të këtij ligji. Sipas ministrit Basha, në takimin me Olli Rehn nuk është diskutuar ligji i Dosjeve, për të cilin zëdhënësja e Komisionerit përsëriti qëndrimin e BE-së. “Diskutimi ka qenë shumë i frytshëm me Komisionerin Rehn. Realisht nuk është folur për ligjin e Lustracionit. Por qëndrimi i Komisionit Evropian për këtë ligj është i qartë. Po këtu është i qartë qëndrimi i qeverisë shqiptare, që u demonstrua me qëndrimin ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese. Ne do të vazhdojmë në respekt të shtetit ligjor të ndjekim këtë proces, i cili është i domosdoshëm jo vetëm për të kaluarën, por ç’është më e rëndësishmja edhe për të ardhmen e shoqërisë shqiptare”, u shpreh pas takimit ministri i Jashtëm shqiptar. Presidenca çeke mbetet momenti më i favorshëm. Kështu shprehet ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, duke bërë të qartë periudhën jashtëzakonisht të favorshme për të hedhur hapin tjetër në drejtim të integrimit të mëtejshëm të vendit, ndërsa ka reaguar në deklaratën e Komisionit Evropian mbi konkluzionet e takimit me Komisionerin Olli Rehn në Bruksel.
“Shqipëria nuk demonstron ngërç, as stanjacion, as nervozitet për të përshpejtuar në mënyrë të panatyrshme një proces, baza e të cilit është suksesi i reformave. Qeveria shqiptare, kryeministri shqiptar e kanë bërë të qartë pozicionin e tyre. Ne e shikojmë gjashtëmujorin e presidencës çeke si një periudhë jashtëzakonisht të favorshme për të hedhur hapin tjetër në drejtim të integrimit të mëtejshëm të vendit”, tha Basha. a.l.