Kancelari Sauli: Hajdari u përzgjodh nga shorti
TIRANE – Gjyqtaren Fatmira Hajdari e caktoi shorti elektronik në Gjykatën e Tiranës për të shqyrtuar kërkesën e ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, objekt i së cilës është pavlefshmëria e akteve të thirrjes në prokurori dhe njoftimit të akuzës. Deklarata erdhi nga kancelari i Gjykatës së Tiranës Ilir Sauli, në një konferencë për shtyp të dhënë pasditen e djeshme, duke reaguar pas deklaratave politike të së majtës, që pretenduan se gjyqtarja Hajdari u caktua qëllimisht për të rrëzuar prokurorinë në gjykim. Në konferencë kancelari Sauli pohoi se caktimi i gjyqtarëve bëhet me anë të një programi kompjuterik, i cili, sipas tij: “Nuk bën asnjë dallim mes gjyqtareve të dhomës penale kur çështja është e tillë, ndërsa kancelari nuk bën asgjë tjetër përveçse përcjell praktikën tek gjyqtari përkatës sipas rezultateve të shortit”. Më tej, Sauli duke dhënë detaje për mënyrën e funksionimit të programit kompjuterik tha, se programi “ARK IT” është iniciuar nga fondacioni SOROS, si dhe në vazhdimësi është financuar nga USAID dhe aplikohet në Gjykatën Tiranës, si dhe në disa gjykata të tjera prej vitit 2002. fa.ma.