E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Bashkë me Interpolin arrestuam 500 të kërkuar

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, i cili po merr pjesë në Takimin Ministerial që zhvillohet në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të 78-të të Interpolit në Singapor, deklaron se bashkëpunimi i vendit tonë me Interpolin dha rezultat në arrestimin e mbi 500 personave të kërkuar për krime të rënda në Shqipëri. Në këtë ministerial, ku janë të pranishëm rreth 70 ministra të Brendshëm nga e gjithë bota, po diskutohet mbi bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit ndërkombëtar, si dhe mbi rolin e forcave policore në operacionet paqeruajtëse të OKB-së. Në fjalën e mbajtur në këtë ministerial, ministri Basha u ndal në arritjet e Shqipërisë gjatë viteve të fundit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, si dhe në rolin e rëndësishëm të bashkëpunimit dhe koordinimit midis Shqipërisë dhe partnerëve euroatlantikë e Interpolit. "Duke zbatuar një politikë zero tolerancë ndaj krimit, Shqipëria arriti që në një kohë fare të shkurtër të shkatërrojë mbi 220 organizata dhe qeliza të krimit të organizuar në Shqipëri dhe të çojë mbi 1000 persona para drejtësisë", theksoi ministri Basha. Si rezultat i këtij vullneti politik dhe rritjes së kapaciteteve zbuluese, goditëse dhe parandaluese, si dhe falë bashkëpunimit të shkëlqyer me vendet fqinje, me vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s, me Europolin dhe Interpolin, Shqipëria është shndërruar në një nga vendet me tregues të kriminalitetit nën mesataren e BE-së, duke garantuar rendin dhe sigurinë, si dhe duke u kthyer në vendin më të sigurt në rajon. Bashkëpunimi me Interpolin e rendit Shqipërinë në krye të listës për sa u përket kërkesave për arrestime dhe ekstradime nga territori i vendeve anëtare. Vetëm gjatë 3 viteve të fundit janë arrestuar dhe ekstraduar rreth 500 persona të kërkuar nga Interpoli Tirana. Në këtë kuadër, ministri Basha konfirmoi vullnetin e palës shqiptare për të proceduar me rigorozitet për sa u përket kërkesave për arrestimin dhe ekstradimin e çdo individi që ka kryer vepra penale. Ministri Basha u ndal më tej në hapat që ka ndërmarrë Shqipëria lidhur me sigurinë e kufijve dhe sistemeve për mbledhjen dhe transmetimin e të dhënave kriminale. Në këtë kuadër, ai i informoi të pranishmit rreth sistemit modern MEMEX për shkëmbimin e të dhënave kriminale, dhe sistemit TIMS për të dhënat në kufi, të cilët ndërlidhen në kohë reale me Qendrën Operacionale të Interpolit, duke mundësuar kështu shkëmbimin dhe kontrollin e menjëhershëm të informacionit mbi personat në kërkim, por dhe mbi automjetet e mallrat e tjerë. "Shqipëria do të dërgojë së shpejti oficerin ndërlidhës të saj në qendrën e Interpolit në Lion, Francë, duke rritur kështu bashkëpunimin me këtë organizatë në nivelin më të lartë të mundshëm", theksoi ministri Basha. Ministri Basha i informoi të pranishmit se Shqipëria do të jetë vendi organizator i Konferencës Rajonale të Interpolit, që do të zhvillohet në 2011.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›