Pranga gruas së vrasësit të policit, fuste celularë në burg
Plot 25 celularë të tjerë janë kapur dje para se të futeshin në burgun e sigurisë së lartë në Tiranë. Grupi i punës ka nisur hetimet për një skemë të re, për futjen e celularëve në burg, atë nëpërmjet pajisjeve elektroshtëpiake, ndërkohë që është arrestuar Flora Dajçi. Sipas policisë, ajo është bashkëshortja e Mondi Mulisë, i cili është dënuar për vrasjen e policit Arben Lasku. Burimet e policisë së kryeqytetit bënë të ditur se efektivët e sigurisë së burgut kanë kapur dje 25 celularë të tipit të fundit, teksa familjarë të të burgosurit Mondi Mulia po tentonin t‘i fusnin në ambientet e Burgut 313. Burime nga policia e burgut të sigurisë së lartë bënë të ditur se aparatet celulare janë kapur të montuar brenda një frigoriferi që kishte adresë qelinë e të burgosurit Mulia. Pas kësaj janë shoqëruar për në polici familjarët e të dënuarit, ndërsa është vënë nën masa të rrepta sigurie dhe vetë i burgosuri. Ndërkaq, grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e më shumë të dhënave rreth celularëve se kush ishin porositësit dhe se kush do ishin kontaktet e tyre. Celularët konsiderohen mjete rreptësisht të ndaluara në burgjet shqiptare. Nuk është hera e parë që tentohet futja e celularëve apo lëndëve narkotike. Në lidhje me aksionin e djeshëm, policia e kryeqytetit deklaroi se nga shërbimet e Komisariatit nr. 3 u krye ndalimi i shtetases Flora Han Dajçi, 33 vjeçe, lindur në Shkodër dhe banuese në Tiranë. Ndalimi i saj u bë sepse rreth orës 14:30 është kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë të Burgut 313, ku gjatë kontrollit të frigoriferit që kishte futur në burg, iu gjetën 25 celularë të tipeve të ndryshme, 25 karikues telefoni, 5 spina karikuesish, një kufje me fisha USB-je dhe një çelës anglez. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sendet e mësipërme. Sipas policisë, e arrestuara është gruaja e të dënuarit Mondi Mulia. Ky i fundit u arrestua në fillim të këtij viti, pasi kërkohej për vrasjen e policit Arben Lasku gjatë trazirave të vitit 1997 në Laç të Vaut të Dejës. Vrasja e policit Arben Lasku ndodhi kur ai ishte me shërbim pranë shkollës së mesme të këtij fshati. Në një raport të policisë mbi ngjarjen thuhet se "ditën kur ndodhi vrasja, Arben Lasku, 26 vjeç, ishte me shërbim i caktuar për mbrojtjen e shkollës së mesme ‘Dëshmorët e Zonës‘ në Laç të Vaut të Dejës. Në kohën kur në shkollë zhvillohej provimi banda e përbërë nga të paktën tre veta, që kryenin grabitjen e banesave në zonë, i është afruar shkollës dhe ka qëlluar me armë në drejtim të efektivit të policisë, duke e goditur atë në kokë". Për disa vite ai i kishte shpëtuar drejtësisë, por sivjet u arrestua dhe u dërgua në qeli. Megjithatë, ky nuk është rasti i parë që futen celularë në qeli. Vetëm pak ditë më parë, pikërisht në datën 9 tetor, u arrestua një 22-vjeçare nga shërbimi i sigurisë dhe i kontrollit të sendeve të Burgut 313, ndërsa tentonte t‘i kalonte të fejuarit të saj disa celularë. 22-vjeçares nga Durrësi i janë gjetur gjatë kontrollit 36 telefona të fshehur në frigoriferin që tentoi ta fusë në qelinë e të fejuarit. Ndërkohë, policia ka nisur hetime intensive për skemën e re që po përdoret për futjen e mjeteve të ndaluara në qelitë e burgut të sigurisë së lartë.