"Remzi Hoxha", dështon video-konferenca me Loshajn
Në Gjykatën e Krimeve të Rënda është zhvilluar sot seanca e radhës për çështjen "Remzi Hoxha", ku ka qenë e pamundur sipas parashikimeve lidhja me video-konferencë nga Holanda me dëshmitarin e saj, Avdyl Loshaj. Mësohet se personi që ndodhej me biznesmenin shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha dhe Ziso Kristopulin kur janë torturuar nga SHIK së bashku, mund të dëshmojë vetëm me anë të një letër-porosie dhe jo me video-konferencë direkt. Nëse video do të realizohej, atëherë ai do të mund të pyetej direkt nga prokurorët e çështjes, gjë e cila do të çonte në ndihmë të zbardhjes së saj, por mesa duket, një gjë e tillë është e pamundur. Gjyqtarët bënë me dijeni se procedura do të kryhet përmes një letër-porosie, ku do të nisen drejt Holandës të gjitha pyetjet ndaj dëshmitarit dhe ai pritet të nisë, po të shkruara, përgjigjet me detajet rreth tyre. Avdyl Loshaj, i rrëmbyer në vitin ‘95 së bashku me Remzi Hoxhën dhe Ziso Kristopulin, ka mundur të arratiset nga Spitali Ushtarak kur u dërgua i plagosur pas hedhjes nga kati i 3-të i godinës së SHIK-ut në Tiranë. Ndërkaq, dëshmia e vetme e seancës së sotme ka qenë ajo e një punonjëseje të punishtes së duraluminit "Albatros", në pronësi të biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Duke rrëfyer momentin e rrëmbimit, ajo ka treguar se ka parë dy persona që zbritën prej makinës, e që kanë kapur prej krahësh pronarin dhe e kanë futur në të. Avdyl Loshaj është marrë peng në të njëjtën kohë kur SHIK akuzohet se rrëmbeu edhe Ziso Kristopulin dhe Remzi Hoxhën. Pasi u ndalua në Qytetin Studenti, në tetor 1995, Loshaj u mbajt në të njëjtin ambient ku u mbajtën edhe Ziso Kristopuli dhe Remzi Hoxha. Ky i fundit është zhdukur pasi u dërgua në Vain të Lezhës dhe u mor në pyetje për dy ditë nga agjentët e SHIK-ut. Loshaj u arratis nga qelitë duke u hedhur nga dritarja dhe më pas u largua nga Shqipëria, duke u vendosur në Holandë.