Vendimi, gjykata liron nga burgu Petrit Çakrrin
Lirohet nga burgu dëshmitari i vetëshpallur i vrasjes së ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Vendimi është dhënë dje nga Gjykata e Tiranës, e cila urdhëroi lirimin e menjëhershëm nga burgu të Petrit Çakrrit, pas përfundimit të dënimeve të mëparshme të dhëna ndaj tij. Çakrri është dënuar me 10.5 vite burgim për akuzën e vjedhjes me anë të mashtrimit. Ai pretendoi se dënimi mbaroi katër muaj më parë, por pasi burgjet nuk e liruan, bëri padi në gjykatë, duke kërkuar përllogaritjen e kohës së qëndrimit në qeli. Çakrri është shprehur se ka qenë dëshmitar në skenën e vrasjes së Azem Hajdarit para selisë demokratike mbrëmjen e 12 shtatorit 1998. Ai nuk u thirr në gjykatë asnjëherë edhe pse në shtyp dha disa detaje mbi skenën e atentatit. Madje pas kësaj ai ra në qeli për një vepër penale të lehtë, por më pas në burg u denoncua nga shoku i qelisë për vjedhjen e një shume të madhe parash përmes mashtrimit. Dënimi i mëparshëm u bashkua me ndëshkimin për vjedhjen, ndërsa Çakrri u dënua me 10.5 vjet burg në përfundim. Ai u mbajt në burgun e Shën-Kollit në Lezhë, prej nga u arratis pak muaj më parë, pasi mori lejen për t‘u paraqitur disa ditë në shtëpi. Çakrri nuk u kthye në kohë në burg dhe policia e shpalli në kërkim. Ditën që u publikua arratisja e tij, ai foli në media, duke deklaruar se nuk kthehej më, pasi po mbahej padrejtësisht dhe se i kishte mbaruar dënimi. Madje ai shtoi se po udhëtonte drejt veriut dhe nuk do të kthehej në Shqipëri. Vetëm pak kohë më vonë policia mori informacion se ai strehohej në Tiranë. Një ditë, uniformat blu organizuan një operacion që çoi në kapjen e tij. Ndërsa dje, togat e zeza kanë vendosur lirimin përfundimtar të Çakrrit.