Basha: Bashkia do jetë në shërbim të qytetarëve - Arvizu: Do të mbështesim projektet për Tiranën
Lulzim Basha merr mbështetjen e ambasadorit amerikan për projektet e bashkisë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha priti dje në një takim, ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, të cilin e informoi mbi projektet e tij për administrimin e qytetit. Kryebashkiaku Basha e njohu ambasadorin Arvizu mbi planet e Bashkisë për mbrojtjen e konsumatorit, decentralizimin, reformat strukturore, reduktimin e barrierave fiskale, thithjen e investimeve të huaja, projektet në infrastrukturë etj.
Nga ana e tij, Arvizu shprehu mbështetjen dhe gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të bashkëpunuar në projekte të ndryshme të përbashkëta me Bashkinë e Tiranës, si reduktimi i barrierave ndaj biznesit, reforma fiskale dhe promovimi i qytetit.
Kryebashkiaku Basha e falënderoi Arvizu për mbështetjen dhe ftoi biznesin amerikan, të bëhet pjesë e investimeve dhe projekteve zhvilluese për qytetin.
“Me kënaqësi të veçantë, prita sot në zyrë Ambasadorin Arvizu. Së pari e falënderova për mbështetjen që Ambasada amerikane i ka dhënë Bashkisë së Tiranës në vite, punës së saj në shërbim të qytetarëve. Së dyti e informova për prioritetet e punës sonë në drejtimet kryesore , në zhvillimin ekonomik të Tiranës dhe rritjen e shanseve për punësim, në përmirësimin e cilësisë së jetës nëpërmjet ndërhyrjeve urbane dhe nëpërmjet një qeverisjeje më transparente, më efikase dhe më në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe gjithë aktorëve ekonomikë e shoqërorë. Kërkova dhe mora mbështetjen e Ambasadorit, nëpërmjet programeve të Ambasadës e programeve të qeverisë amerikane, për të mbështetur përpjekjet e Bashkisë së Tiranës në të gjithë këto fusha. E falënderoj dhe e siguroj për një bashkëpunim të suksesshëm, midis Bashkisë së Tiranës, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës e cila po kështu, në vetvete dhe me të gjithë stafin e saj është një nga rezidentët e qytetit tonë”, u shpreh kryebashkiaku Basha.
Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu tha se në takimin me Bashën theksin e ka vënë te përmirësimi i jetesës së qytetarëve si dhe zhvillimi ekonomik i qytetit.
“Para së gjithash vlerësoj shumë faktin që Kryetari i Bashkisë gjeti kohën të takohej me mua, pavarësisht nga axhenda e tij e ngjeshur. E përgëzova dhe gjithashtu i theksova atij faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një traditë shumë të gjatë bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës dhe presim që kjo të vazhdojë. Ne kemi gjithashtu një traditë shumë të gjatë të bashkëpunimit me Kryetarin e Bashkisë, gjatë të gjithë funksioneve që ai ka pasur më herët, si Ministër i Punëve të Brendshme, Ministër i Punëve të Jashtme e gjithashtu gjatë punës që ai ka zhvilluar në Kosovë, kështu që presim me kënaqësi edhe zhvillimin e kësaj marrëdhënieje të re me të. Diskutuam gjatë mbi mënyrat, se si mund të përmirësojmë jetën e qytetarëve të Tiranës dhe kjo është një gjë tepër e rëndësishme, sepse edhe synimi i SHBA është përmirësimi i jetës së qytetarëve në Tiranë e Shqipëri dhe dukshëm 1/3 e qytetarëve të Shqipërisë jetojnë në këtë qytet e rrethinat e saj”, deklaroi ambasadori amerikan, Arvizu.
Ky është takimi i parë mes ambasadorit amerikan në Tiranë Arvizu dhe kryebashkiakut Basha, që prej marrjes së detyrës së re nga Basha.