E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Bashkia e Tiranës, i vetmi vend ku abuzohet me pushtetin

Gjatë fjalës së tij në rrethin e Gramshit, ministri i Jashtëm Lulzim Basha ka vazhduar akuzat ndaj kreut socialist, Edi Rama, ku ka veçuar faktin se Bashkia e Tiranës, është i vetmi vend ku vazhdohet të abuzohet me pushtetin dhe të përdoret për interesa të ngushta personale, dhe për këtë ai solli si shembull 19 lejet e ndërtimit që Rama dha për miqtë e tij të ngushtë. Shqiptarët kanë sot dy modele, atë të ndryshimit të ofruar nga Sali Berisha dhe modelin e abuzimit të ofruar nga Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij, që për 8 vjet e mbajtën peng integrimin e vendit, u shpreh ministri Basha në këtë takim. Në takimin e zhvilluar me banorë të fshatit Lubinjë, në rrethin e Gramshit, Basha deklaroi se brenda vitit të parë, të mandatit të dytë të kësaj mazhorance, do të bëhet e mundur heqja e vizave në hapësirën Shengen. Gjatë fjalës së tij, ai theksoi gjithashtu se sistemimi dhe asfaltimi i të gjitha rrugëve rurale të vendit, do të jetë prioritet i Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj në mandatin e  dytë qeverisës. Në cilësinë edhe të kryetarit të shtabit të fushatës elektorale të partisë Demokratike për Qarkun e Elbasanit, ministri Basha tha për banorët e kësaj zone të thellë malore, se pasi u arrit të ndërtohej dhe rikonstruktohej infrastruktura kombëtare, duke nisur me rrugën Durrës-Kukës, Lushnje-Fier, Fier-Vlorë, Levan-Tepelenë, Tepelenë-Gjirokastër, etj, qytetarët do të nxirren nga balta, pavarësisht se ku jetojnë, si kundër, do të vazhdohet rritja e pensioneve dhe pagave të tyre. Të gjitha paratë që qeveria shqiptare do të grumbullojë do të drejtohen fillimisht dhe kryesisht në ndërtimin e infrastrukturës rurale, duke filluar me ndërtimin e akseve kryesore që lidhin komunat me qendrat e tyre, me qytetet dhe akset kombëtare dhe duke përfunduar me lidhjen e çdo fshati me qendrën e komunës me rrugë të asfaltuar, vijoi ministri Basha, duke përmendur arritjet e qeverisë aktuale gjatë këtij mandati, ku veçoi luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, dyfishimin e pensioneve të fshatit, pagat e arsimtarëve, infermierëve e mjekëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›