E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli- Karamanlis: Marrëdhëniet mes dy vendeve, me dimension të ri

Kryeministri grek Kostas Karamanlis, gjatë vizitës së tij në Tiranë është takuar edhe me kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli. Gjatë këtij takimi është biseduar për marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat sipas kreut të qeverisë greke po shfaqen në një dimension të ri. Në këtë drejtim, ai ka siguruar kryetaren Topalli për mbështetje të plotë që Greqia do ti jap vendit tonë. Marrëdhëniet tona po njohin një nivel nga më të mirët e historisë së bashkëpunimit dypalësh. Ne mbështesim Shqipërinë në procesin e saj integrues në BE dhe besoj se të gjithë fqinjët dhe vendet e tjera të BE-së duhet të jenë në të njëjtin mendim. Po ashtu, qeveria e Greqisë ndjek nga afër procesin e liberalizimit të vizave të Shqipërisë me vendet e BE-së dhe ju shpreh qëndrimin tone pozitiv në këtë perspektivë, ka deklaruar Karamanlis. Kreu i qeverisë greke ka shprehur kënaqësinë e kësaj vizite të tij, të parë në Shqipëri duke falënderuar Kryetaren e Kuvendit për ftesën dhe mundësinë për tju adresuar Parlamentit të këtij vendi mik. Jam veçanërisht i kënaqur, që vizita ime vjen në një moment historik për Shqipërinë, anëtarësimi në NATO. Partneriteti në këtë Aleancë të Atlantikut të Veriut hap një tjetër perspektivë në marrëdhëniet tona dy dhe shumëpalëshe, ka veçuar Karamanlis. Nga ana e saj, kryetarja Topalli ka theksuar se qeveria shqiptare po bën të gjitha përpjekjet për të përmbushur këtë aspiratë të qytetarëve shqiptarë. Anëtarësimi në NATO është një ngjarje epokale në historinë e Shqipërisë dhe po ashtu edhe aplikimi që Shqipëria do të bëjë sot për statusin e vendit kandidat në BE pas përmbylljes në një kohë shumë të shkurtër të fazës së ratifikimit të MSA-së. Mbështetja e Qeverisë, e juaja personalisht dhe e Parlamentit të Greqisë në perspektivën tonë Euro-Atlantike, ka qenë dhe mbetet shumë e rëndësishme. Tashmë, politika jonë e jashtme është fokusuar në liberalizimin e vizave. Shqiptarët pas izolimit 50 vjeçar, pas vështirësive për të lëvizur të lirë në këto 17 vjet meritojnë të lëvizin të lirë për të takuar të afërmit e tyre në Greqi, Itali e në vende të tjera apo të rinjtë të lëvizin si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre në këtë kohë globalizmi, ka theksuar kryetarja e parlamentit. Duke u ndalur në procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Topalli theksoi se ky proces po ecën në drejtimin e plotësimit të të gjithë standardeve për të pasur zgjedhjet më të lira në historinë e demokracisë në Shqipëri. Më tej biseda u fokusua në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, rritjen e investimeve greke në Shqipëri dhe në partneritetin e plotë edhe në kuadër të stabilitetit rajonal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›