LDK hap fushatën elektorale, synon 3 deputetë në parlament
Lidhja Demokristiane Shqiptare ka hapur fushatën e saj elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Në fjalën e hapjes, kreu i saj Nikollë Lesi ka shprehur bindjen e plotë se kjo parti do të fitojë në zgjedhjet parlamentare tre deputetë, pa as më të voglin dyshim. Në dy qarqe jemi shumë të sigurt në fitoren tonë për dy mandate deputeti; në Shkodër dhe në Lezhë. Deputeti i tretë do të dali mes një konkurrence votash ndërmjet qarqeve Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Ky është parashikimi ynë, i cili është publik, veçoi Lesi.
Në këtë drejtim ai ka veçuar shfrytëzimin e të gjitha varianteve që jep Kodi Zgjedhor si dhe punën e LDK, e cila sipas tij kësaj radhe do të jetë edhe me një stil pragmatist në koalicion. Mos harroni se pas këtyre zgjedhjeve, për të krijuar qeverinë do të kërkohet edhe një vote e jo më tre vota deputetësh, të cilat do të jenë shumë të rëndësishme për atë që i kërkon si kryeministër, ka vijuar Lesi duke iu drejtuar të pranishmëve në sallë gjatë fjalës së hapjes së fushatës elektorale të LDK. Gjithashtu, ai ka theksuar se kjo parti do të jetë këto ditë pjesë e koalicionit të saj të natyrshëm politik, por kurrsesi nuk do të jetë shërbëtore apo servile e të madhit në koalicion. Ndër të tjera, Lesi ka veçuar se synimi i tij nuk ka qenë aspak flirtimi për këtë mandat deputeti dhe ka siguruar se nuk do të largohet më nga demokristianët, duke pranuar gabimin e tre viteve më parë. Kësaj radhe do të qëndrojë në krye të demokristianëve të vërtetë e jo siç bëra një gabim në vitin 2006, që dhurova drejtimin e një partie demokristiane një personi, që jo vetëm nuk u tregua korrekt me premtimin e tij publik për bashkëpunim me mua, por e konvertoi atë sigël partiake në një oborr me militantë të partive kundërshtare, që nuk kanë asnjë lidhje me filozofinë kristiane, ka sqaruar Lesi. Sipas tij, qëndrimi i pandryshueshëm i LDK ka bërë edhe kundërshtarë brenda llojit apo me disa parti aleate, por ka deklaruar se do të jenë ata në qeverisjen e pas 28 qershorit, të njëjtët që ngrenë probleme në favor të atyre, që qeverisen e jo të atyre që qeverisin. Ne nuk bëjmë kompromise me asnjeri për hir të ndonjë mandati deputeti, ashtu siç dimë të vlerësojmë ofertën e hapur dhe dinjitoze për tu futur në koalicion vlerash e jo pazaresh, ka theksuar Lesi. Duke iu drejtuar të pranishmëve në sallë, ai ka veçuar faktin e të qënit realist dhe të mos synimit të pasynueshëm për një forcë të vogël politike.